Transmetuar më 28-01-2022, 12:08

Ka dashuri futbolli që zgjasin gjithë jetën dhe të tjera që thjesht nuk lulëzojnë. Carlo Ancelotti gjatë karrierës së tij ka takuar shumë lojtarë që do të hidheshin në zjarr për të. Sidoqoftë, "Carletto" u gjend edhe përballë personaliteteve, që e refuzuan, në disa raste edhe me disa humbje.

Ky është rasti i Bayern Munich, ku trajneri italian qëndroi vetëm një vit e disa muaj. Në "Allianz Arena" u përplas me senatorët, veçanërisht njërin prej tyre. Ai që ishte i domosdoshëm me Guardiolën, por që nuk gjeti kurrë shumë hapësirë me trajnerin italian: Thomas Müller.

Gjermani konsiderohet si një nga drejtuesit e “komplotit” që çoi në shkarkimin e Ancelottit. Deklaratat e tij në "The Athletic" duket se konfirmojnë se në fakt opinioni i tij vlente shumë. Müller shpjegon pse paraqitjet e tij nuk ishin të njëjta pas largimit të Guardiolës:

"Për mënyrën se si luaj, struktura e ekipit është jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjithçka duhet të funksionojë në mënyrë perfekte. Unë jam si një ingranazh, i vendos cilësitë dhe karakteristikat e mia në funksion të grupit dhe mund ta ndihmoj skuadrën të përmirësohet në këtë mënyrë".

Kjo strukturë me Ancelottin nuk ishte te Bayerni. Në të vërtetë, sipas Müller, pati një konfuzion te skuadra bavareze, pasi Pep ia la vendin "Carlettos": "Kur arrijmë të kemi stabilitet si ekip, të kontrollojmë lojën, është më e lehtë për mua të kem një ndikim pozitiv.

Dhe në vitin që pasoi lamtumirën e Guardiolës nuk ia dolëm. Në të vërtetë, ndonjëherë ishte si në ‘Far West’. Kisha përshtypjen se çdo gjë mund të ndodhte, gjithmonë. Dhe ndoshta për spektatorët ishte edhe më argëtuese në këtë mënyrë".

Sigurisht që jo për Müller. Ai nuk e përmend drejtpërdrejt emrin e Ancelottit, por na lë të kuptojmë pse ka pasur një revoltë kundër tij në Bavari…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd