Transmetuar më 27-01-2022, 09:04

Mallorca po këmbëngul që të marrë Vedat Muriqin nga Lazio. Në Spanjë madje e konsiderojnë marrëveshjen thuajse të kryer, me sulmuesin kosovar që do t’i lërë bardhekaltrit në formë huazimi fillimisht, me të drejtë blerjeje përfundimtare nga klubi i La Liga-s.

Pas Vavros, i cili u rikthye në Kopenhagë, lëvizja tjetër e Lotitos mund të jetë heqja nga lista e pagave e ish-bomberit të Fenerbahce për të zhbllokuar merkaton e Lazios, e cila është ende e "ngrirë". Negociatat vazhdojnë, në orët në vijim Muriqi mund t’iu thotë lamtumirë kryeqytetasve italianë.

Konfirmimi i bisedimeve mes palëve vjen edhe nga vetë Igli Tare, i cili megjithatë ende nuk është i sigurt për atë që pritet të ndodhë: “Jemi në bisedime me Mallorca për Muriqin, por ende nuk kemi arritur marrëveshje. Po punojmë, janë orë plot tension".

Sulmuesi i Kosovës dështoi totalisht te Lazio dhe nuk mundi dot kurrë të përshtatej e të justifikonte as gjysmat e atyre 18 milionë eurove të paguara te Fenerbahce. Një dështim që rëndon edhe mbi supet e drejtorit sportiv Igli Tare, i cili hyri garant për cilësitë e tij si golashënues.

Sipas medieve iberike, akordi është arritur mes Lazio dhe Mallorca: huazim 300 mijë euro për gjashtë muaj dhe e drejtë blerje për 13 milionë euro. Futbollisti dardan pritet do të udhëtojë sot drejt Spanjës për të kryer vizitat mjekësore. Në një sezon e gjysmë me Lazio, Muriqi shënoi vetëm 2 gola në më shumë se 30 ndeshje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd