
Ajo që deri dje dukej aq shumë si një ëndërr dimri, megjithatë po bëhet konkretisht realitet: Dusan Vlahovic te Juventusi. Goditje e madhe në ditët përmbyllëse të merkatos së janarit, një shenjë e qartë sesi “Zonja e Vjetër”, edhe në momentet më të ndërlikuara financiare, synon gjithmonë të përmirësohet.
Qendërsulmuesi serb është një hap larg kalimit te bardhezinjtë. Marrëveshja është gjetur tashmë me Fiorentinën: 75 milionë euro. Pra, 5 milionë më shumë se sa parashikonte drejtori sportiv vjollcë, Daniele Pradè, i intervistuar orët e fundit nga “Sportitalia”.
Një mision që, pavarësisht vështirësive ekonomike të lidhura edhe me periudhën pandemike, nuk i trembi drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Ata e kuptuan se sigurimi i menjëherëshëm i Vlahovic do të thoshte kërcim në cilësi dhe planifikim.

Në fund të fundit, një investim srioz për të garantuar një vend midis katër më të mirëve të Serie A. Në deklaratat e mëparshme, Maurizio Arrivabene (CEO) e përcaktoi kualifikimin për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve si një "domosdoshmëri". Dështimi në këtë drejtim është i ndaluar.
Vlahovic kishte dhënë tashmë “po”-në e tij për të kaluar menjëherë në Torino. Atë e pret një kontratë shumëvjeçare, me mbi 7 milionë euro neto në vit. Shifër që pasqyron plotësisht evolucionin e ish-lojtarit të Partizanit të Beogradit.
E nëse në Firence, për sa i përket opinionit futbollistik, nuk e kanë marrë mirë këtë largim, fansat e “Zonjës së Vjetër” presin me padurim “tymin e bardhë”. I cili, në këtë pikë të negociatave mund të jetë me të vërtetë vetëm një çështje orësh.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





