Transmetuar më 25-01-2022, 11:17

Sigurisht, është një situatë delikate dhe duhet trajtuar me kujdes te Manchester United. Në një sezon mjaft të trazuar, që pa Solskjaer, Carrick dhe Rangnick të alternonin stolin e "Djajve të Kuq", ajo që mungon është vazhdimësia e rezultateve.

Kjo gjë mund ta mbajë Manchester United larg nga "top 4" e Premier League, që do të thotë jashtë Champions-it. Aktualisht, skuadra nga "Old Trafford" renditet në vendin e katërt, por nuk duhet anashkaluar fakti se disa skuadra pas "Djajve të Kuq" kanë disa ndeshje për të rikuperuar dhe për këtë arsye mund të ripërcaktojnë karakteristikat e klasifikimit të Ronaldos me shokë.

CR7, në fakt është një tjetër temë mjaft e nxehtë. Kampioni portugez, i cili u rikthye në Angli pas tri vitesh te Juventusi, po kalon një moment larg shkëlqimit në këtë pikë të sezonit. Më saktësisht, CR7 po bën paraqitjen më të keqe nga pikëpamja e arritjeve që prej largimit nga Real Madridi, verën e vitit 2018.

Deri më 24 janar 2022, pesë herë fituesi i "Topit të Artë" ka luajtur 24 ndeshje sezonale, duke shënuar 14 gola, nëse numërohen të gjitha garat. Numra dukshëm më të ulët se ato të periudhës 3-vjeçare te Juventusi.

Në sezonin debutues 2018-2019 me bardhezinjtë, në këtë pikë të garës, ai kishte shënuar 16 gola në 27 ndeshje, ndërsa në sezonin 2019-2020 "valencat" e portugezit ishin 19 gola në 25 ndeshje. Për të mos përmendur një vit më parë, kur Ronaldo u shfaq në javën e fundit të janarit me 20 gola në 21 ndeshje.

Sikur të mos mjaftonte ky fakt, goli i vetëm i shënuar në muajin e fundit, kundër Burnley, dhe marrëdhënia antagoniste me trajnerin Ralf Rangnick e bëjnë më të nderë situatën e 36-vjecarit. Sulmuesit luzitan nuk i pëlqeu zëvendësimi i rezervuar për të nga trajneri gjerman ndaj Brentford. Definitivisht, jo klimë e qetë për të dhe… Manchester United.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd