Transmetuar më 22-01-2022, 18:03

Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët e Durrësit, në kuadër të nismës së tij për takime në terren me strukturat përreth vendit.

Ai ka zhvilluar më herët takime në Fier dhe në Lezhë, dhe ashtu si në dy takimet e para, edhe ditën e sotme kreu i PD-së është pritur nga disa mbështetës të ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Ata mbanin në duar pankarta të ndryshme me thirrje kundër Bashës, ku një ndër to shkruan “Kemi bërë burg për ty dhe ti u shite te Rama”.

Pranë tyre gjenden dhe mbështetës të kreut të PD-së, të cilët kanë ardhur për të pritur Bashën dhe për te qenë pjesë e takimit të tij.

Në momentin që ky i fundit po futej në vendin ku do të mbahet takimi, mbështetësit e Berishës kanë shpërthyer në thirrje “O Sali o hero, gjithë Shqipëria dty të do”, si dhe “Basha ik”.

Gjatë protestës, ka pasur edhe tensione, teksa mbështetësit e Berishës janë përplasur me policinë.

Reagimi i Bashës:

Nuk kemi ardhur për të sharë asnjë demokrat të vetëm. Nuk kemi ardhur për të shpifur kundër asnjë shqiptari, e jo më ndaj anëtarëve të familjes sonë. Nuk kemi ardhur të gënjejmë. Nuk kemi ardhur për veten tonë, por të gjithë bashkë për PD-në, për Durrësin dhe për Shqipërinë. Kemi ardhur në një moment të veccantë, kur një pakicë e vogël mblidhet për të shpifur, për të gënjyer, për të linccuar demokratët e sakrificës, themelues dhe qëndrestarë, intelektualë të Durrësit. Për të fyer të rinjtë vetëm pse mendojnë ndryshe nga hijet e të shkuarës. Për t’iu vërsulur nënave me fëmijë pse mendojnë ndryshe. Ata i bashkon halli personal i një njeriu të vetëm, i cili premtori se nuk do ta merrte peng partinë për interesa personale.