Transmetuar më 22-01-2022, 12:42

Një mbrëmje me pritshmëri të shkëlqyera në “San Siro”, ku prozhektorët do të kthehen të dielën në mbrëmje, në ndeshjen Milan-Juventus. Bardhezinjtë kanë bërë thirrje që të mos humbasin kontaktet me Champions League, duke fituar edhe ndaj të dytit në klasifikimin aktual të Serie A.

Massimiliano Allegri, gjatë konferencës për shtyp foli pak më shumë se 24 orë para sfidës: “Po përjetojmë një moment të mirë, por rruga është ende e gjatë, mungojnë shumë ndeshje dhe jemi ende prapa. Ndeshja kundër Milanit është e shkëlqyer për t’u luajtur. Më vjen keq që do të ketë vetëm pesë mijë shikues në stadium në një ndeshje kaq të rëndësishme për klasifikimin”.

Trajneri i Juventusit nuk e ka vendosur ende formacionin me të cilin do të startojë nesër: “Ne ende duhet të bëjmë disa trajnime, ndaj për këtë arsye duhet të bëj vlerësime shtesë. Të gjithë janë mirë, përveç Bonucci dhe Ramsey (që është negativizuar nga koronavirusi). Sot do të mendoj për formacionin, shpresojmë të kemi më të mirët nesër në mbrëmje”.

Juventusi me një rezultat të mirë në “San Siro” dhe një ndihmë nga merkatoja mund të synojë diçka më shumë se vendin e katërt: “Le të mos shkojmë shumë larg me gjërat. Tani le të mendojmë të bëjmë mirë kundër Milanit, një ekip që ka punuar shumë mirë në një vit e gjysmë të fundit. Urime të gjithëve, edhe Piolit që ka bërë gjëra të mëdha.

Kuqezinjtë po luftojnë për titullin, edhe për këtë arsye do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne. Nuk mund të mendojmë për titullin tani, sepse nuk do të kishte kuptim. Le të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe pastaj do të shohim se ku mund të arrijmë”.