Transmetuar më 21-01-2022, 20:32

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Greqi, ku një prift grek 37-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka përdhunuar për 4 vite rresht një 16-vjeçare shqiptare.

Prifti mohon gjithçka ndërsa të gjithë fajin ia hedh vajzës së mitur. Duke folur për mediat greke, avokati i tij Andreas Theodoropoulos theksoi se në shtëpinë e tij, nuk u gjet asnjë material pornografik.

“Klienti im e deklaron veten të pafajshëm. Vetë e mitura i dërgoi atij një mesazh me përmbajtje seksuale, të cilit prifti nuk iu përgjigj kurrë dhe nuk ia tha askujt”, shton ai.

Ndërsa babai i priftit nuk pranon që i biri të ketë kryer veprime të tilla.

“Po tallesh tani, që djali im të jetë i aftë për gjëra të tilla? Nuk është e mundur, e pres kokën nëse ka bërë këtë gjë”, ka përfunduar ai.

Ndërsa në një rrëfim tronditës e mitura ka treguar para hetuesve se prifti e kishte përdhunuar që kur ishte 13-vjeçe.

Prifti shërben në një kishë në lagjen Kato Patisia të Athinës, zonë në të cilën banon edhe familja shqiptare.

Ai ka 3 fëmijë, madje vajza e madhe e tij është pothuaj në të njëjtën moshë me viktimën.