Transmetuar më 21-01-2022, 13:59

Situata mes Barçës dhe Ousmane Dembélé, i cili nuk u grumbullua me skuadrën për duelin e kësaj të enjteje në “San Mamés”, pasi nuk dha asnjë shenjë rinovimi, është e nderë. Klubi katalanas tha se duhet të largohet sa më shpejt, që këtë merkato dimërore.

Kjo përplasje publike nuk lë askënd indiferent. I fundit që foli ishte një legjendë e Barçës, Hristo Stoichkov, i cili, si zakonisht, nuk e “kafshoi gjuhën” dhe sulmoi ashpër sulmuesin francez. Për televizionin TUDN, bullgari tha: “Nëse nuk doni të jeni te Barcelona, të paktën mos e njollosni atë stemë. Lëreni fanellën dhe thoni: zotërinj, po iki".

Ish-lojtari i Barçës ftoi gjithashtu presidentin Joan Laporta që të vazhdojë t’i tregojë derën e daljes Dembélé: "Zoti Laporta, hapeni derën dhe lëreni të shkojë. Këta njerëz që nuk i ndjejnë ngjyrat duhet të largohen. Ata nuk e dinë së çfarë është ajo fanellë, se çfarë është Barça”.

Përveç kësaj, ai përshëndeti vendimin e Xavi Hernández për të mos e grumbulluar francezin për ndeshjen e fundit në “San Mamés”: "Ju përgëzoj si trajner që nuk e thirrët atë, sepse dhoma e zhveshjes meriton respekt. Me 121 vjet histori, klubi ynë meriton respekt”.

Bullgari i kthehet sërish Dembele: “Unë e ndjeva peshën e asaj fanelle si i huaj në kohën e Kubala, Carrasco, Lineker, Bakero, Salinas… E dija historinë, ndërsa ti nuk e kuptove kurrë se çfarë është Barcelona. Faleminderit shumë që mashtrove njerëzit duke besuar se di të luash futboll”.