Transmetuar më 21-01-2022, 12:23

Harry Kane dha një intervistë ekskluzive për “Sky Sports UK”, në të cilën foli për momentin e Tottenham dhe Antonio Conte: "Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë. Ne nuk kemi bërë mirë në dy vitet e fundit dhe kjo është një mundësi e madhe, duhet të shfrytëzojmë atë që kemi.

Conte është një trajner kërkues dhe po bën gjithçka që është e mundur. Ne lojtarët iu jemi përgjigjur shumë mirë kërkesave të tij, të gjithë po punojnë shumë për të fituar. Ky është qëllimi përfundimtar".

Kapiteni i “Spurs” vazhdon më tej: "Lojtarët vijnë e shkojnë dhe ndonjëherë kjo e çorienton pak skuadrën. Edhe trajnerët vijnë e shkojnë, duhet kohë për t’u përshtatur. Fakti është se, veçanërisht në Premier League, ka shumë skuadra të forta.

Të gjithë po luftojnë për të hyrë në gjashtëshen e parë. Janë 8-9 skuadra që konkurrojnë për zonën Champions. Pra, nëse nuk i bëni gjërat siç duhet, është e lehtë të mbeteni prapa dhe kjo është ajo që na ka ndodhur në të kaluarën.

Kësisoji, duhet të jemi të kujdesshëm. Ne kemi besim, veçanërisht që nga ardhja e trajnerit të ri. Duhet të jemi të sinqertë: bëmë hapa pas nga ku ishim tre ose katër vite më parë. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo është e vërteta”.

Disa fjalë edhe mbi të ardhmen e tij: "Unë thjesht mendoj të luaj mirë. Jam plotësisht i fokusuar në këtë sezon, duke u ngjitur sa më lart në kampionat. Ne jemi ende në garë për ‘FA Cup’ dhe po përpiqemi të fitojmë një trofe”.