Transmetuar më 21-01-2022, 10:18

Kryeministri Edi Rama së bashku me familjarët e viktimave të 21 Janarit kanë zhvilluar homazhe, pranë vendit ku u vranë 4 persona, në protestën e vitit 2011.

Rama i shoqëruar nga familjarët e të ndjerëve, mbajnë në duar karafila në ngjyrë të kuqe, të cilat i vendosin pranë vendeve ku u vranë 4 protestuesit.

Të pranishëm në homazhet që u mbajtën në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" janë dhe deputetë të tjerë socialistë.

Protesta e 21 janarit 2011 solli katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.

Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.

Familjarët në shumë raste kanë hedhur akuza për mungesën e drejtësisë, ndërsa shteti shqiptar ka bërë një dëmshpërblim ekonomik ndaj tyre.