
Një aksident i madh në seri ka ndodhur në Çeki. Stuhia e borës ka goditur edhe këtë vend e për pasojë është bërë shkak për një aksident zinxhir duke mbyllur plotësisht një nga autostradat kryesore pranë kryeqytetit Pragë.
Policia tha se rreth 40 automjete dhe kamionë u përplasën mes tyre në autostradën D5 si pasojë e aksidentit që ndodhi 33 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit.
Autostrada D5 është një nga dy rrugët kryesore që lidh Pragën me Gjermaninë, e cila do të qëndrojë e mbyllur për orë të tëra.
Shërbimi rajonal i shpëtimit tha se të paktën gjashtë persona u plagosën. Dy prej tyre u transportuan me helikopterë në një spital në Pragë.
Instituti Hidrometeorologjik Çek paralajmëroi se gjatë ditës së sotme priten reshje bore në të gjithë Republikën Çeke.