Transmetuar më 21-01-2022, 00:07

Policia e Tiranës thotë se ka arritur të parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale pasi sipas saj, një armë automatike që gjeti, ishte pjesë e një plani për vrasje në dalje të kryeqytetit.

Për këto dyshime, është vënë në pranga një shtetas, i dënuar më parë për vjedhje me anë të mashtrimit, ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit tip kallashnikov, të cilën e mbante pa leje në banesë dhe e shihni në foto.

Gjithçka precipitoi pasditen e të enjtes, kur shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, morën njoftim se në lagjen Paskuqan Nr. 2, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri shtetasin M. D., 39 vjeç.

Arma që u zbulua

Pas veprimeve hetimore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Shkëlqim Koçeku, 36 vjeç, banues në Paskuqan 2, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Ky shtetas, gjatë natës, i kishte dëmtuar mjetin dhe më pas ditën e enjte, e ka kanosur me armë zjarri kallashnikov shtetasin M. D., banues në Paskuqan 2.