Transmetuar më 20-01-2022, 18:50

Mësohen detaje të reja rreth vrasjes së Eglantina Bucit.

Prokuroria e Tiranës i ka dhënë fund hetimit të kësaj ngjarjeje dhe ka kërkuar nga Gjykata dënimin e të akuzuarve për vrasjen e 23-vjeçares, eshtrat e të cilës u gjetën nga një gjuetar në zonën e Malit me Gropa

Babë e bir, Faik e Shkëlzen Buci rrezikojnë dënimin në total prej 50 vjet burg pasi akuzohen për vrasjen e Eglantinës.

Për zbardhjen e vrasjes të së resë, ka ndihmuar edhe motra e viktimës Elona Tufa, e cila në një seancë gjyqësore, ka treguar anën e dhunshme të të atit. Sipas saj, dy motrat dhe nëna e tyre kanë vuajtur prej vitesh dhunën mizore nga Faik Buci.

“Jemi rrahur me kabllo të dritave nga babai, prandaj jemi detyruar që të largohemi nga shtëpia. Rriheshim me kabllot e dritave, pse hanin fëmijët karamele. Rriheshim në mënyrë barbare. E kam baba dhe është sjellë me ne në këtë mënyrë, deri në ditën që kam ikur nga shtëpia. Pastaj mami ka ikur edhe ajo nga shtëpia, se lahej në gjak për çdo ditë,”- ka treguar ajo gjatë rrëfimit para trupës gjykuese.

Krimi makabër u zbulua nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, shok i Shkëlzen Bucit, që kishte qenë i pranishëm në momentin kur vëllai vrau motrën. Vrasja dhe fshehja e kufomës së 23-vjeçares në Tiranë është zbardhur pas 10 vitesh. Pas hetimeve intensive të nisura në vitin 2017, është zbuluar se Eglantina Buci është vrarë me armë zjarri nga babai e vëllai i saj sepse kishte ikur nga shtëpia për të bashkëjetuar me të dashurin.