Transmetuar më 20-01-2022, 12:20

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga Kuçova se projekti i radhës në bashkëpunim me NATO-n dhe SHBA-në do të jetë krijimi i një qendre ekselence për mbrojtjen kibernetike. Në fjalën e tij kreu i qeverisë nënvizoi se ky projekt strategjik do të ndikojë në aspektin ekonomik dhe social të zonës.

“Sot po shohim të realizuar një projekt që kur erdhi ishte i pabesueshëm për shumëkënd, sa shumë është përqeshur dhe sa komente mosbesuese janë bërë 3 vjet më parë që ky moment nuk do të vinte kurrë që Kuçova të kthehet në bazë ajrore ku do zbatohen 5 projekte të ndara në 3 paketa të rëndësishme, që përveç përfitimeve në aspektin strategjik e ushtarak do të impaktohet dhe ekonomia dhe në aspektin social zona e Kuçovës do të ketë një përfitim si të ardhur nga qielli në këtë rast. Jemi duke folur për një projekt për krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë NATO-n.

Falë vullnetit, pozicionit strategjik dhe gjeografik për t’i dhënë Shqiëprisë një përmasë tjetër e mund ta bëjmë realitet këtë që sapo thashë.  Ambicia jonë është që kjo stërvitje të lidhë çdo dy vjet veprimtarinë e FA në kuadër të NATO-s”.

Kreu i qeverisë premtoi gjithashtu rritje e rrogave për forcat e Armatosura viti pas viti për të arritur në nivelet e NATO-s.

“Do të rrisim vit pas viti stimulin financiar dhe ambicia është që t’i rrisim ato çdo vit dhe që FA të jenë në mesataren e vendeve të NATO-s dhe kjo është plotësisht e mundur. Nga ana tjetër të rrisim logjistikën dhe kapacitetet teknologjike të FA, jo vetëm në funksion të FA, por edhe shoqërisë”.

Për Ramën vendimi që NATO mori për të përzgjedhur këtë hapësirë si mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është vlerë e shtuar në këtë aleancë që bashkon ata që besojnë në parime e vlera që ia vlen të luftohet.

“Për ne ishte një lajm shumë i mirëseardhur se përçonte dhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik e ushtarak. Jemi të vetëdijshëm për përmasën e dhe volumin e kontributit të vendit tonë në raport me të tjerët, po falë punës sonë dhe falë mbështetjes që po gjejmë nga SHBA e strukturat e mbrojtës së SHBA po vetëdijësohemi përditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe rritjes së cilësisë s ë forcave ushtarake mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n dhe me projekte të tjera”.