Transmetuar më 20-01-2022, 11:17

Është zbardhur dëshmia e Markeljan Beqirit, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës pas plagosjes së të riut Arni Sulejmani në një hotel në Durrës.

Dëshmia e tij përputhet me atë çfarë ka deklaruar ky i fundit para hetuesve, se plagosja ka qenë aksidentale. 26-vjeçari që u arrestua këtë të enjte në Tiranë rrëfen se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe substancave narkotike, kur në mënyrë të pavetëdijshme ka shkrepur armën duke plagosur shokun e tij.

Ashtu sikurse zbuluan hetimet, Beqiri tregon se brenda dhomës së hotelit ishin katër persona, mes tyre edhe e reja Anxhela Brisku, Arni Sulejmani dhe Tefik Shehu. Sipas Beqirit pretendon se është larguar nga vendi i ngjarjes për shkak të frikës, ndërkohë që miku i tij u la në mes të dyshemesë së dhomës së hotelit në autostradën Durrës-Tiranë, i mbuluar nga gjaku.

“Unë me Arni Sulejmanin jemi shokë. Ndodheshim brenda dhomës së hotelit një grup miqsh, mes të cilëve edhe Anxhela Brisku. Konsumuam shumë alkool dhe drogë ndërsa kisha humbur vetëdijen. Armën e kam nxjerr në mënyrë të pavetëdijshme, nuk doja ta plagosja Arnin, nuk kisha arsye. Pas ngjarjes më kapi paniku dhe nuk dija çfarë po bëja, u largova nga frika".

20-vjeçari Arni Sulejmani u plagos më 9 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa njëri nga personat në kërkim, Markeljan Beqiri u arrestua nga blutë e Tiranës pasi kishin informacione në rrugë operative se po lëvizte drejt Dajtit. Për këtë destinacion i riu ka rrëfyer përpara grupit të hetimit se ishte nisur "për qejf".

Ndërsa është shorehur kontradiktor për arsyet pse ka vendosur të mos vetëdorëzohet pas kohës që e kishte kuptuar veprimin e rëndë që ka bërë. Sulejmani u plagos në krah ndërsa fatmirësisht plumbat nuk e kapën në organe jetësore që mund ti rrezikonin jetën.

Teksa Beqiri dhe Shehu u shpallën  në kërkim pas ngjarjes, në pranga përfunduan një transgjinore, e identifikuar Anxhela Brisku dhe Enver Hysenaj, i cili e ndihmoi të fshihej pas plagosjes të renë dhe që shërbente si recepsionist hoteli.