Transmetuar më 20-01-2022, 11:09

Ousmane Dembélé është zyrtarisht jashtë projektit të Barcelonës dhe përfshihet menjëherë në merkato. Drejtori sportiv katalanas, Mateu Alemany, e komunikoi këtë fakt të rëndësishëm përmes kanalit zyrtar të klubit:

"Me Ousmane dhe agjentët e tij filluam bisedat e rinovimit në korrik 2021. Në këto 6-7 muaj kemi bërë disa oferta, duke u përpjekur të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara së bashku. Të gjitha ofertat u refuzuan sistematikisht nga agjenti".

Alemany më pas vazhdoi: "Unë raportoj se sot, 20 janar, 11 ditë para mbylljes së afatit kalimtar, është e qartë se lojtari nuk dëshiron të vazhdojë me Barcelonën.

Pas këtij skenari, ai dhe agjentët e tij janë informuar se duhet të largohet menjëherë. Ne duam lojtarë që i përkushtohen kauzës sonë, shpresojmë që transferimi i Dembele të materializohet deri më 31 janar”.

Alemany përfundoi: “Ne nuk duam të kemi lojtarë që nuk duan të jenë te Barça. Pasoja është se ata nuk do të jenë më pjesë e saj”. Në fakt, kësaj deklarate i priu vendimi i trajnerit Xavi Hernández, i cili e ka lënë jashtë skuadrës Ousmane Dembélé për duelin kundër Athletic Bilbao në Kupën e Mbretit.

Xavi e kishte konfirmuar tashmë në një konferencë për mediat se po nuk rinovoi, francezi duhet të shitet tani në janar; ndryshe do të qëndrojë në tribunë deri në qershor.