Transmetuar më 19-01-2022, 14:33

Një vajzë 10-vjeçare kaloi rreth 18 orë në një stuhi të ashpër dëbore në Rusi dhe temperatura -11 gradë celsius, duke u ngrohur nga një qen endacak.

Vajza e quajtur Vika Z humbi rrugën jo më larg se një kilometër nga shtëpia teksa ishte duke u kthyer nga shkolla. Zona u pushtua nga një stuhi dëbore dhe temperatura 11 gradë nën zero. Në disa vende, dëbora kishte mbuluar katet e para të shtëpive.

Banorë të zonës dhe policia arritën ta gjejnë vajzën pas gati 18 orësh pasi ajo doli nga shkolla. Vogëlushja u gjet e përqafuar me një qen endacak nën një ballkon të ulët.

“Vajza i do shumë kafshët. Pasi doli nga shkolla, ajo shkoi për të ushqyer qentë endacakë dhe më pas dëbora e la të bllokuar nën një ballkon, ku qëndroi aty për orë të tëra, duke mbijetuar falë ngrohtësisë së ofruar nga qeni”, tha Olesya Voznyuk, nga grupi i hetuesve.

Vajza u dërgua në spital, por për fat të mirë pa probleme serioze.