Transmetuar më 19-01-2022, 12:35

Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është duke u zhvilluar sot seanca dëgjimore për për Enkeleida Kapedanin.

Mësohet se gjyqtarja Kapedani foli për skandalin e Tik Tok duke thënë: “As ILD, as KLGJ nuk arritën të provojnë nxjerrjen e videove nga ana ime. Telefonin e kam patur në një servis. ILD vlerësoi se  mbetet e paprovuar  nga dolën videot edhe pse çdo dyshim shkon në favor të magjistratit personalisht kam ndjerë përgjegjësi dhe jam vetëofruar të ndëshkohem përballë kolegëve, miqve, familjes.

Organet kompetente ILD dhe KLGJ arritën në konkluzionin se nuk u cënua besimi i publikut. Vendimet e KLGJ janë vendime quazi gjyqësore që kanë efekte gjyqësore. Pra për videot jemi përpara një vendimi gjyqësor të KLGJ dhe s’mund të gjykohem dy herë.”

Ndërsa për shitjen e kamionit nga bashkëjetuesi më shtrenjta se sa e kishte blerë, gjyqtarja tha: “Më lejoni të citoj një vëzhgues të ONM që në një proces të ngjashëm ku subjekti e kishte shitur më shtrenjtë makinën, ai tha: Ndodh ndonjëherë në jetë të blesh lirë e të shesësh shtrenjtë’.

Kapedani tha më tej: “Arsyeja që më goditën mua është se nuk kam lejuar kompromise, nuk kam lejuar të përdorem nga prokurorët e prokurorisë të Elbasanit për shkeljet dhe mos veprimet e tyre. Nga përmbajtja e denoncimeve, unë kuptoj se kush i ka bërë ato dhe përse dhe dua që ju të mos bini në grackën e tyre. Ajo që ka rëndësi është që përfaqësuesi i ONM të mos bjerë në grackën e tyre, e kuptoj që është e vështirë te kuptojë intrigat por pres ta kuptojë.”

Anëtarja e KPK: Zonja Kapedani mos dyshoni në aftësinë tonë, kemi 4 vjet që e kryejmë këtë proces.

Kapedani: Është e vërtetë por në këto katër vjet ndaj askujt s’pati skenarë e kaq shumë baltë sa mbi mua.