Transmetuar më 19-01-2022, 12:17

Sfida e kontestuar mes Milanit dhe Spezia tani ka përfunduar në arkivat e Serie A, e njollosur nga episodi që pa gjyqtarin Serra të fishkëllejë një faull në favor të Milanit vetëm një moment para se Messias të merrte topin e mundshëm të tri pikëve.

Kuqezinjtë u penalizuan keq prej kryesorit, i cili shpërtheu në lot pas ndeshjes, dhe shohin përpara. Ata po përgatitin supersfidën e radhës në “San Siro”, kundër Juventusit.

Megjithatë, minutat dhe orët pas gafës së arbitrit, i cili në mënyrë efektive pengoi golin e avantazhit të Milanit, ishin padyshim të nxehta dhe të shënjuara nga polemikat.

“Bilbili”, që i përkiste seksionit të Torinos kërkoi falje direkt në fushë dhe, siç raportohet nga “Corriere della Sera”, më pas do të kishte marrë mbështetje e mirëkuptim të plotë nga Zlatan Ibrahimovic, brenda mjediseve të stadiumit “San Siro”.

“Mos e bëj dramë, ti ke gabuar si unë dhe të gjithë njerëzit”, – ishin fjalët me të cilat suedezi do ta kishte ngushëlluar arbitrin, i cili ishte tejet i tronditur nga gabimi i bërë, që pritet ta pezullojë gjatë.