Transmetuar më 18-01-2022, 14:58

Pamja shkakton tronditje dhe neveri. Megjithatë, burrat vazhdojnë të dërgojnë foto të organeve të tyre gjenitale në mesazhe, kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale.

Edhe pse numri konkret  i fotove të shpërndara në internet nuk dihet me saktësi, dërgimi i mesazheve të fotove të organeve gjenitale të burrave është kthyer në një fenomen shqetësues në mbarë botën.

"Ky veprim është sjellje sulmuese", thotë Sandra Schwark , një psikologe e specializuar në dhunën seksuale. Sipas ekspertes, shumë gra raportojnë se janë ndjerë të ngacmuara, të neveritura, të turpëruara.

“Në shumë raste nuk është as një tentativë për të bërë seks, por ngacmim seksual, siç ndodh shpesh në rrugë", thotë ajo.

Hulumtimet kanë treguar se ky veprim  është kryesisht një përpjekje për të ushtruar pushtet në gjininë e kundërt.

Sipas hulumtimeve mbi fenomenin e fotografive të organeve gjenitale të burrave (dickpics), profili i dërguesve është me interes të veçantë. Ata nuk janë të vetëdijshëm se ky është një akt sulmues dhe nuk e konsiderojnë veten seksistë, megjithatë akti i tyre mbart këto elemente.

82% e burrave që morën pjesë në kërkimin shkencor të Flora Oswald(2019) besojnë se dërgimi i këtij lloji të fotografive zgjon seksualisht marrësin.

50% e meshkujve që u përgjigjën thanë se kështu ndihen tërheqës.

51% shpresojnë të marrin një përgjigje të ngjashme me foto “seksi”, ndërsa 53% duan të provokojnë.

47% e pjesëmarrësve deklarojnë se në këtë mënyrë duan të tregojnë interesin e tyre seksual për një person.

Sipas psikoanalistit Jonas Kneer, "përderisa sjelljet e ngjashme nuk provokojnë reagime negative, ka shumë mundësi që ato të përsëriten".

Ai konsideron se praktika të tilla duhet të ndiqen penalisht dhe se është e rëndësishme t’i bëhet e qartë dërguesit mundësia e ngritjes së padisë kundër tij.

Përgjegjësia është gjithmonë mbi autorët dhe jo viktimat.

Kneer drejton projektin "Unë mund të ndryshoj" në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Hanoverit, i cili përfshin njerëz që nuk mund të kontrollojnë instiktet  e tyre seksuale. Megjithatë, eksperti gjerman thekson se fenomene dhe sjellje si këto mund të parashikohen dhe shmangen.

Sipas Kodit Penal Gjerman, kushdo që i dërgon ose promovon materiale pornografike te një person tjetër pa iu kërkuar një gjë e tillë, mund të përballet me një vit burg ose gjobë.