Transmetuar më 17-01-2022, 08:11

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Irlandën, por jo vetëm.

Mësuesja e fillores, Ashling Murphy, 23 vjeçe, u vra teksa kishte dalë për vrap në brigjet e Kanalit të Madh në Tullamore, County Offaly. Zona njihet si Rruga e Fionës, në kujtim të një gruaje tjetër që u zhduk 25 vjet më parë, ndërkohë që ishte 7 muajshe shtatzënë. Vdekja e Ashling ka nxitur edhe njëherë debatin për sigurinë e femrave në Irlandë, por edhe më gjerë.

Mediat britanike shkruajnë se policia po përpiqet të identifikojë një person me biçikletë, i cili dyshohet se e ndoqi viktimën në zonë, 24 orë përpara vrasjes. Autoritetet irlandeze thuhet se kanë bërë mjaft progres në hetimet, megjithatë nuk ka ende detaje të bëra publike.

Një person i cili besohet se ndodhet në spital në rajonin e Dublinit, konsiderohet person me interes dhe hetuesit po presin që të bisedojnë me të. Ai mësohet se shkoi në spital me plagë në fytyrë, të ngjashme me ato që mund t’i bëhen nga dikush që po mbrohet.

Ndërkohë kontrolle po bëhen në prona në Tullamore dhe Dublin.

Sa i përket personit që u pa nga banorët duke lëvizur në zonë me biçikletë, është e mundur që ai të ketë informacion se çfarë i ndodhi Ashling. Ndërkohë, zyrtarët nuk përjashtojnë mundësinë që mësuesja të jetë përndjekur përgjatë 24 orëve përpara vrasjes.

Për vdekjen e së resë përgjatë fundjavës u mbajtën homazhe në disa qytete të Irlandës. Familjes së saj iu bashkuan qytetarë të shumtë teksa ndezën qirinj në vendin ku u vra.

Këtë të diel u bë publik raporti mjeko-ligjor, që zbuloi se mësuesja e shkollës fillore u mbyt për vdekje. Oficerët besojnë se ajo luftoi deri në momentin e fundit.

Ata po ashtu dyshojnë se vrasësi ishte i vetëm. Autori u largua me vrap në momentin që dy kalimtare po vinin drejt vendit të ngjarjes. Ashling ishte ende gjallë kur mbërriti policia. Ata u përpoqën t’i jepnin ndihmë mjekësore, por e reja nuk u arrit të shpëtohej.