Transmetuar më 16-01-2022, 09:48

Rëndohet bilanci i viktimave nga përleshjet e dhunshme në Kazakistan. Raportohet se ka shkuar në 225 numri i viktimave mes të cilëve 19 janë anëtarë të forcave të sigurisë.

Kreu i Prokurorit në Kazakistan, Serik Shalabayev, teksa i cilësoi si banditë të armatosur protestuesit e vrarë, tha se 50,000 persona iu bashkuan trazirave në të gjithë ish-republikën sovjetike duke kulmuar më 5 janar, kur turmat sulmuan dhe dogjën ndërtesat qeveritare, makina, banka e dyqane në disa qytete të mëdha.

Ndërkohë, Presidenti Kassym-Jomart Tokayev iu drejtua për ndihmë një blloku ushtarak, të udhëhequr nga Rusia. Ai largoi nga detyra kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, paraardhësin e tij, Nursultan Nazarbayev, duke e marrë vetë drejtimin e këtij organizmi. Tokayev urdhëroi policinë të shtunën të shmangte sjelljet abuzive pas ankesave për rrahje e tortura në mesin e të arrestuarve lidhur me trazirat. Ai u tha prokurorëve që të tregoheshin të butë ndaj atyre që nuk kishin kryer krime të rënda.

Protestat e dhunshme në Kazakistan filluan këtë muaj pas një rritjeje të çmimit të karburantit, ndërkohë që numri i viktimave është tepër i lartë. Në vend ende ka tension mes palëve.