Transmetuar më 14-01-2022, 14:26

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka mbërritur në prokurori për të dhënë dëshminë e tij për protestën e 8 janarit. Në pamje duket se Basha është serioz teksa futet në prokurori.

Pak çaste më parë, nga prokuroria doli sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili dha dëshminë e tij për rreth 3 orë.

Në fjalën e tij para medieve u shpreh se është përgjigjur për çdo çështje të kërkuar nga prokuroria dhe vijon akuzat se Sali Berisha ka marrë përgjegjësinë e një akti të dhunshëm ndaj PD.

“Ka vijuar bashkëpunimi jonë me prokurorinë, që nga momenti i parë. Sot jam përgjigjur dhe kam dhënë përgjigje për çdo çështje të kërkuar nga prokuroria, duke nisur me momentin kur protestuesit mësyjnë PD, kontaktet që kam pasur me policinë dhe çfarë ka ndodhur në katin e dytë të selisë së PD. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Një grusht njerëzish me në krye Sali Berishën sulmuan selinë e tyre. Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen. Sali Berisha ka marrë përgjegjësinë e një akti të dhunshëm ndaj PD. Pres nga prokuroria pa asnjë hezitim të vendosë para përgjegjësisë penale autorët e atij krimi të paprecedentë”, tha Bardhi jashtë prokurorisë.

Bardhi është proceduar penalisht nga prokuroria për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”.