Transmetuar më 13-01-2022, 22:02

Mbretëresha ka hequr një sërë rolesh ushtarake dhe tituj mbretërorë të mbajtur nga princi Andrew, tha Buckingham Palace. Vendimi, i cili përfshin edhe ndalimin e përdorimit të titullit “Lartësia Mbretërore” vjen pasi një gjykatëse amerikane dha dritën jeshile që princi Andreë të përballet me një padi civile për sulm seksual.

Pallati Buckingham tha në një deklaratë të enjten: "Me miratimin dhe marrëveshjen e Mbretëreshës, përkatësitë ushtarake të Dukës së York-ut dhe patronazhet mbretërore i janë kthyer Mbretëreshës. Duka i York-ut do të vazhdojë të mos marrë përsipër asnjë detyrë publike dhe po e mbron këtë çështje si qytetar”.

Patronazhet i referohen roleve në bamirësi, grupe ushtarake dhe qytetare që anëtarët mbretërorë mbështesin. Më shumë se 150 veteranë ushtarakë i shkruajtën mbretëreshës për t’i kërkuar asaj që t’i hiqte Andreë-t rolet ushtarake.

Në fund të vitit 2019, princ Andreë u bë kryefjala e titujve të mediave pasi adresoi për herë të parë shoqërinë me Jeffrey Epstein, miliarderin 66-vjeçar që u akuzua për krime të shumta seksuale dhe pretendohet se vrau veten në qeli. Epstein akuzohej për trafikim seksual të vajzave minorene.

Në dhjetor 2019, Virginia Giuffre, dikur Virginia Roberts, vajza me të cilën thuhet se princ Andreë ka abuzuar seksualisht, dha një intervistë për Panorama TV. Ajo tha se e sollën në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte 17 vjeçe, posaçërisht për të bërë seks me princin”. Virginia Giuffre ka paditur princin Andreë për sulm seksual.