Transmetuar më 13-01-2022, 19:30

Tre fëmijë janë gjetur të vdekur dhe një grua e plagosur rëndë dje në një apartament në Kaliforni, SHBA. Incidentin e rëndë autoritetet po hetojnë si vrasje-vetëvrasje e mundshme.

Zbulimi i rëndë u bë në rezidencën Le Grand kur policia u thirr për një kontroll nga fqinjët, pasi banorët nuk dukeshin prej ditësh, raportonte rrjeti lokal amerikan yourcentralvalley.com

Fëmijët e vdekur ishin të gjithë nën moshën 8 vjeç dhe autoritetet ende nuk kanë komentuar mbi mënyrën e vrasjeve.

Gruaja dukej se kishte plagë të vetë-shkaktuara, thanë autoritetet, dhe është dërguar në spital për trajtim.

Zyra e sherifit nuk tha se çfarë lidhje kishin mes tyre banorët e apartamentit, por deklaroi se do të japë të tjera informacione pas hetimeve paraprake.