Transmetuar më 13-01-2022, 12:11

Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar sërish për rritjen e çmimeve të ushqimeve. I revoltuar thotë se paratë nuk i marrin bujqit dhe fshatarët, por tregtarët.

Në postimin e tij, mori shembull domaten duke thënë se merret në Lushnje dhe Divjakë për 50 lekë/kg nga Tirana dhe shitet për 150 lekë, duke shtuar se ky disnivel është i pajustifikueshëm.

Ndërsa shtoi se qeveria nuk vendos çmimet e tregut, Brace duket se bën thirrje që të ndalohet grabitja që po i bëhet fshatarëve, bujqve dhe sigurisht konsumatorëve.

Postimi i plotë:

Është fakt! Çmimet e ushqimeve janë rritur! Por një gjë: Kush mendon se të ardhurat e çmimeve të rritura po i merr bujku, fshatari, gabon! Po i merr tregtari!

Bujku po merr aq sa ka marrë gjithë jetën, ne mos më pak!

Kush blen domate sot me çmim 150 leke, duhet të dije se domatja më e mirë sot, tani, në Lushnje e Divjakë kushton 50 lekë për kilogramë, kaq!

Këtë merr bujku dhe po i fitoi 5-7 lekë për kilogram është i lumtur!

100 lekë nga Lushnja/ Divjaka në Tiranë është grabitje!

Për tregtarët: Tatimi nuk ka ndryshuar, çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar, çmimi i ujit nuk ka ndryshuar, rroga minimale për punëtorët e ngarkim-shkarkimit nuk ka ndryshuar (për ata që kanë një magazinë a dyqan)

Ka ndryshuar vetëm çmimi i karburantit nga 168-183 lekë/ litër.

Pra, nga Lushnje/Divjaka në Tiranë u është shtuar 700-1000 leke shpenzim për rrugë!

A justifikon ky shpenzim shtesë 100 lekë për kilogram domate?!

Kurrë!

Thënë këtë, dua të jem i qartë: Qeveria nuk cakton çmime (entet rregullatore po), por qeveria ka detyrë të ndalë grabitjen me çmimet e padrejta! Çmimet e drejta nuk janë komunizëm, siç mendon dikush!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd