Transmetuar më 13-01-2022, 10:27

Kompania gjermane e prodhimit të automjeteve “Volkswagen” tha se mund të dyfishojë shitjet e makinave të saj me bateri elektrike ID në Kinë këtë vit, madje edhe më shumë, nëse nuk pengohet nga mungesa e gjysmëpërçuesve.

Seria ID, të cilën “Volkswagen” e prodhon në ndërmarrjet e saj të përbashkëta me kompanitë kineze “SAIC Motor” dhe “FAW Group”, është baza e “Volkswagen”-it për makinat elektrike në Kinë, tregu më i madh i automjeteve në botë.

“Volkswagen”shiti 70 625 automjete elektrike ID në Kinë vitin e kaluar, duke mos arritur objektivin e tij për të shitur 80 000 deri në 100 000 makina, ndërsa prodhimi është prekur gjithashtu nga shpërthimet rajonale të COVID-19, përveç probleme lidhur me mikroçipat.

Drejtuesi i degës së “Volkswagen”-it në Kinë, Stephan Wollenstein, tha në një konferencë shtypi në Pekin se “Volkswagen”-i do të dëshironte ta dyfishonte planin e tij origjinal, por se objektivi "nuk është siguruar aktualisht për shkak të furnizimit të tanishëm me gjysmëpërçues".

Megjithatë, ai shtoi se ishte "mjaft pozitive që do të kishte një dyfishim të shitjeve aktuale".

Grupi “Volkswagen“, që përveç markës së vet zotëron edhe marka të tjera, si “Audi”, “Lamborghini” dhe “Porsche”, shiti 3.3 milionë makina në Kinë vitin e kaluar, 14 për qind më pak se në vitin 2020, bëri të ditur Wollenstein.

Kompania synon ta rrisë këtë numër me rreth 15 %, ose afërsisht 500 000 njësi këtë vit, megjithëse ai tha se kjo varet gjithashtu nga situata e furnizimit me mikroçipa.