
Pasi përcollën të miturin për në banesën e fundit, reagojnë familjarët e 3-vjeçarit që u mbyt në kopësht.
Më 7 janar babai dërgoi si zakonisht në çerdhe të voglin. Por në drekë e morën të vdekur në spital.
Gjyshërit e fëmijës kanë folur në një lidhje për News24. Gjyshi i fëmijës së ndjerë, u shpreh ndër të tjera:
“Për orar të saktë nuk e di. Atë ditë e ka çuar djali në kopsht, pastaj është marrë nusja në telefon. I kishin thënë që çuni është mbytur me lidhësen e bluzës. Bluzën ia kam veshur unë me duart e mia dhe nuk kishte lidhëse në fyt. Pastaj kanë thënë që ka këputur lidhësen dhe e ka kapërcyer… Asnjë nga këto nuk na bindin. Dje i zoti i çerdhes, na thirri dhe do na tregonte vendin ku kishte ndodhur. Tha, ka ndodhur këtu, unë çoj dorën atje sepse mendova mos ishte hekur, kapësja (varësia e rrobave) më mbeti në dorë. Nusja duke ulëritur, i thamë djali 15 kg nuk mund të varej aty se varësja do të ishte këputur… A ka ndodhur një krim këtu? Tek ai korridor nuk kishte kamera.
Ka pasur një bluzë me zinxhir, me kapuç dhe shumë, shumë larg nga fyti. Varësja ku ata thonë të jetë varur nuk bën vaki, është e shkurtër, djali ishte më i gjatë.
Çuni e nisi në shtator çerdhen. Ka lindur në 8 maj 2019 dhe ditën që ka mbushur 31 muajsh, jo tre vjeç, por trupi ishte për 3 vjeç e më shumë. Në shtator u sëmur dhe e kishim në spital dhe nuk ka shkuar deri në nëntor. Pothuajse në dhjetor. Ka shkuar rreth orës 08:15 në kopsht, çdo gjë ishte normale. E ushqeva me duart e mia, hëngri bashkë me të atin. Çuni ikte dhe me furgon, jo gjithmonë e çonim ne. Ai kthehej në orën 4 pasdite nga kopshti. Ka ndodhur në orar buke a gjumi nuk e dimë.”, tha gjyshja e 3-vjeçarit.
Ajo kërkoi të dijë të vërtetën për vdekjen e nipit të saj.
“Ne duam vetëm që edukatorja e nipit të tregojë të vërtetën. Nuk e vëmë dot kokën në jastëk, po na bluan shpirti për djalin. E çuam me duart tona e na e prunë me arkivol”, tha gjyshi i të miturit.
Hetimet
Drejtoria rajonale e Fierit tha se "specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikëqyrjen e kësaj shtetaseje".
Nga hetimi mësohet se dyshimet janë që fëmija është përpjekur të marrë xhupin me të cilin dëshironte të flinte në orarin e drekës. Teksa përpiqej ta merrte në varësen e rrobave mbi stolat e këpucëve, mendohet se fëmija është mbytur me zinxhirin e xhupit, por asgjë nuk është ende e qartë dhe autoritetet ende nuk kanë bëtë publike ekspertizën mjekoligjore.
Edukatorja që kishte nën mbikëqyrje katër fëmijë, ka shkuar të vërë në gjumë të vegjlit, por 3-vjeçari është kthyer të marrë xhupin të cilin e mbante në shtratin e gjumit.
Teksa fëmija ka shkuar të marrë xhupin, edukatorja ka shkuar që ta risjellë në fjetore, por është alarmuar kur e ka parë të shtrirë.
Nuk është e qartë sa minuta ka qëndruar fëmija jashtë mbikëqyrjes së edukatores përgjegjëse, që mësohet se ishte marrë nga Zyra e Punës në Fier.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





