Transmetuar më 09-01-2022, 20:25

Rikthehen thirrjet nacionaliste serbe. Rrugët e Republikës Srpska në Bosnje janë mbushur sot nga protestues serbë. Këta të fundit nuk kanë ngurruar të këndojnë këngë nacionaliste.

Nacionalistët etnikë serbë u panë duke kënduar së bashku një këngë popullore serbe. Kënga në fjalë bën thirrje për pushtim të disa prej qyteteve kryesore të shteteve fqinje të Serbisë, u bën thirrje serbëve të pushtojnë Prizrenin, Dubrovnikun, Cetinjen dhe Nevesinjen.

Sipas disa komentuesve, këto janë të njëjtat këngë që këndoheshin në marshimet e ushtrisë serbe gjatë luftërave dhe gjenocidit ndaj popujve të ish-Jugosllavisë.

Ngjarje të njëjta janë parë edhe në Novi Pazar, ku jeton një shumicë e madhe myslimane.

Asambleja e Republikës Srpska ka filluar procedurat për largim nga institucionet qendrore të Bosnje e Hercegovinës, një lëvizje që shkel Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë më 1995. Dhe kështu Ballkani mbetet i trazuar dhe fatkeqësisht i mllefosur nga nacionalizmat.