Transmetuar më 08-01-2022, 14:41

Pas protestës së thirrur nga Sali Berisha që zgjati më shumë se 3 orë, Policia e Shtetit ka nisur punën për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.

Në një njoftim, paralajmëron se duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Teksa do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, policia thotë se do të identifikohen autorët e përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.

Sot u mbajt protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha.

Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.

Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Nuk munguan incidentet pasi protestuesit tentuan të hynin në selinë blu duke thyer dyer e dritare. Ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës erdhi pas kërkesës së një grupi deputetësh se po i rrezikohej jeta.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd