Transmetuar më 08-01-2022, 09:45

Redaksionale NOA.al

Pas pak pritet të nisë një plan i Sali Berishës për të larguar Lulzim Bashën nga selia e Partisë Demokratike dhe për të vendosur aty, Komisionin Drejtues me 29 persona që do të përgatisë zgjedhjet për kreun e ri demokrat.

Shumëkush e sheh këtë si një sfidë mes Berishës dhe Bashës.

Por në të vërtetë, shumë më tepër se kaq, kjo është një sfidë ndaj Amerikës.

Sali Berisha, tetë vjet pasi u largua nga jeta politike, u shpall person i padëshirueshëm në SHBA me një vendim të shpallur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke sugjeruar se Berisha është person i korruptuar bashkë me familjen e tij.

Vendimi argumentonte në dy pjesë, shkaqet e shpalljes non grata.

E para ishte se sipas Blinken, Berisha ka shpërdoruar fondet publike për të pasuruar veten dhe të tjerë.

E dyta se, retorika e Berishës tregon se ai nuk tërhiqet, por është i gatshëm të mbrojë veten në kurriz të hetimeve të pavarura.

Vendimi publik që shpalli Blinken nuk shoqërohej me prova dhe kjo u shfrytëzua fort nga Berisha që kërkoi të nxirren publikisht dhe në çdo kohë nga cilido që pretendon t’i ketë ato.

Duke qenë se e gjithë deklarata e Blinken ishte në vetë të parë dhe jo në emër të DASH, Berisha e paditi atë në një gjykatë franceze, që ai thotë se ka pranuar ta ndjekë si çështje.

Pas padisë, Berisha nuk u mjaftua, por u vu në krye të një sulmi të fortë ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, të cilin e kishte ngjitur në majat e kësaj partie dhe i kishte dhënë seri postesh të larta kur ishte kryeministër.

Basha u justifikua disa herë se e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar demokrat pasi iu bë presion nga amerikanët që të mos e kishte me deputet të PD. Ndërsa theksoi se ai ishte i bindur më pafajësinë e Berishës duke hedhur poshtë publikisht deklaratën e Blinken.

Megjithatë, ditët më pas treguan se Basha ishte kundër, jo vendimit amerikan, por kundër Berishës, duke deklaruar hapur se synon fundin final të Sali Berishës në politikë.

E gjitha kjo ka bërë që shumë njerëz të besojnë se ajo që po ndodh është një sfidë mes Bashës e Berishës.

Por nëse dëgjon apo lexon ndër rreshta Berishën, qëllimi i tij nuk ka qenë dhe nuk është, rikthimi në krye të PD dhe as rikthimi në pushtet.

Ai ka një plan të qartë në kokë: Synon të ruajë të paprekur emrin e tij në të gjallë dhe pas vdekjes, e po ashtu të sigurojë të ardhmen pa rreziqe, të fëmijëve të tij.

Ai thotë se është në të drejtën e tij që ta bëjë këtë, sa kohë SHBA nuk nxori kurrë prova kundër tij dhe ai vetë është i bindur për papërlyerje.

Në të tilla kushte, duket se prestigji, reputacioni, besueshmëria apo dhe imazhi i ShBA-ve janë vënë, më së paku në sfidë dhe pse jo edhe në rrezik.

Nëse Berisha arrin të largojë Bashën dhe grupin e tij nga PD- në kushtet kur SHBA është investuar e tëra në mbështetje të kreut zyrtar – kjo nuk do të ishte fitore e Berishës ndaj Bashës, por sukses në sfidën ndaj Amerikës.

Dhe nëse në gjykatën franceze, Berisha do të arrinte të fitonte, ky do të ishte një triumf jo thjesht ndaj Blinken, por grusht i paprecedentë ndaj SHBA-ve.

Mbetet të shohim nëse Berisha do të fitojë njërën, të dyja, apo asnjë nga këto synime. /noa.al