
Erling Haaland sigurisht që do të jetë emri i nxehtë i merkatos së verës. Sulmuesi norvegjez i Borussia Dortmund ka regjistruar shifra të çmendura dhe është gati të nisë një aventurë të re larg “Signal Iduna Park”.
Klauzola e tij e lirimit nga verdhezinjtë është vetëm 75 milionë euro, ndaj klubet më të mira evropiane janë gati për të marrë pjesë në këtë “ankand”. Futbollisti zbuloi vetëm një javë më parë se dëshiron të luajë në Spanjë, ku Real Madridi dhe Barcelona janë gati të garojnë për të.
Megjithatë, sipas “The Athletic” ka një interes të fortë për yllin norvegjez edhe Manchester City. Pep Guardiola është gati “të vërë bast” me Haaland, ta blejë atë në fund të sezonit. Lamtumira e Ferran Torres, i cili u transferua te Barcelona, si dhe largimet e tjera, do të ishin një mënyrë për të rritur burimet financiare dhe më pas për të nisur sulmin ndaj sulmuesit norvegjez.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, Real Madridi është “kërcënimi” kryesor i “qytetarëve” në garën për qendërsulmuesin e Borussia Dortmundit. Megjithatë, nëse “Los Blancos” arrijnë të marrin Mbappe në “Bernabeu”, operacioni do të komplikohej shumë.
Pep Guardiola ka shprehur qartë dëshirën e tij për të marrë një sulmues të ri, që të zëvendësojë në mënyrë adekuate lamtumirën e legjendës Sergio Aguero. Gjithashtu, sipas “The Athletic”, në rast se Haaland nuk i bashkohet Manchester City, klubi anglez ka gati emra të tjerë. Në krye të listës së alternativave është serbi i Fiorentinës, Dushan Vlahovic, i ndjekur nga ylli i Real Sociedad, Alexander Isak.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





