Transmetuar më 05-01-2022, 19:17

Racizmi grek është ngjitur deri në majat e televizionit, me një prezantuese të njohur që flet në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve duke detyruar një bashkëkombëse tonën, të reagojë me forcë ndaj saj.

Modelja e njohur Maggie Drew (Megi Drio) ka folur për humbjen tragjike të nënës së saj e cila ndërroi jetë nga koronavirusi, por, siç raporton noa.al, edhe për situatën në të cilën ndodhen ajo dhe familja e saj pas humbjes.

Madje, ndër të tjera ajo ka folur edhe për aksidentin automobilistik në të cilin u përfshi dhe për pak humbi jetën, ndërsa komentoi edhe deklaratat e Mara Meimaridis që nxitën reagime, në lidhje me origjinën e këngëtarit Kristo Sadikaj.

“Babai im është në një situatë të vështirë. Është e pritshme, pasi ka humbur gruan. Shtëpia i duket bosh dhe gjithçka e shqetëson. Më humbi mamaja, na humbi zonja e shtëpisë”, tha ajo në Mega Channel dhe më pas foli për aksidentin automobilistik që pësoi pak pasi humbi nënën.

“Jetoj nga një mrekulli, më shpëtoi nëna. Rashë në një shtyllë, në rrugë. Nuk mbaj mend asgjë, humba ndjenjat, godita kokën. “Ishte menjëherë pas vdekjes së nënës sime, nuk mund të përqendrohesha në vozitje”, tha Megi, shumë e njohur në Greqi nga show GNTM.

Megi Drio

Modelja me origjinë nga Shqipëria foli edhe për komentet e Mara Meimaridi, e cila e pyeti live online se “çfarë race është ky këngëtari Kristo Sadikaj”:

“Është tragjike për një grua në një moshë të tillë, që e kemi mbështetur kaq shumë. Ne duhet të japim shembuj të mirë në TV. Por, të pyesësh për shqiptarët se çfarë race janë? Çfarë race? Ne nuk jemi qen, ne jemi njerëz.

Ishte më e keqja që kam dëgjuar ndonjëherë nga një grua e moshuar. Ky ishte një faull i madh televiziv. Shqiptarët janë njerëz, ne nuk jemi as qenër dhe as mace”, theksoi ajo me një zë të fortë.

Fyerjet që bëri Mara Meimaridi

Mara Meimaridi

Ndërsa intervistonte në TV një këngëtare dhe në bisedë u fol dhe për këngëtarin me origjinë shqiptare, Kristo Sadikaj, Mara pyet pa kurrfarë etike:

"Ky Sadikaj ça emri është? Ça race është ky?"

Një prezantuese në program e fton të ndalë fjalët, por Mara vazhdon:

"Ta marrim vesh nga është. A grek është?"

Kristo Sadikaj

Pasi mëson se Kristo është nga Shqipëria dhe erdhi në Greqi 2 vjeç, Mara vazhdon:

"Sadikaj më bëhet diçka si braziliançe, si argjentinase".

Dhe në fund përpiqet të mbulojë skandalin: "Ti thuash se dua të blej një tokë në Shqipëri, aty ku janë ato plazhet e bukura". /a.b/noa.al/