









Atentati ndaj 35-vjeçarit Erion Çela në zonën e ‘Don Boskos’ ditën e sotme ka tronditur kryeqytetin.
Siç duket edhe nga fotoja e siguruar nga LSA/NOA, pak momente pas krimit, 35-vjeçari i vrarë ndodhet në mes të lokalit, i shtrirë përtokë.
35-vjeçari ka ndërruar jetë në duart e gruas shtatzënë e cila lutej për ambulancën. Gruaja, e cila do të sjellë në jetë një vajzë, ndodhej në supermarket në momentin kur ndodhi vrasja.
Viktima rezulton të ketë përdorur dy emra (Erion dhe Aleksandër Çela), por është e paqartë arsyeja pse ai ka ndërruar emrin, pasi nuk ka të dhëna për rekorde kriminale me këto identitete.
Në ngjarje u plagos Blerim Çela, vëllai i të ndjerit e po ashtu i plagosur mbeti edhe Edmond Crroj 41 vjeç, i cili rezulton me precedent penal pasi ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali.
Të plagosur kanë mbetur edhe Arben Dani, 46 vjeç dhe Azbi Selimaj 19 vjeç. Mësohet se ky i fundit ishte kamarieri i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Autorët kanë qëlluar me kallashnikov nga jashtë nga një makinë tip "Benz" në lëvizje që mendohet se u largua nga Lapraka. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë kryeqytetin por ende nuk ka asnjë shenjë nga autorët.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





