Transmetuar më 03-01-2022, 10:41

Pas vitesh mungesë në "Camp Nou", me 38 pranvera mbi supe, Dani Alves është rikthyer te Barcelona. Mbrojtësi brazilian, i cili rastësisht është edhe futbollisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave, ka pranuar ta ndihmojë klubin e zemrës së tij, të shkatërruar nga problemet ekonomike dhe lamtumira e Leo Messit.

Për të, përqafimi sërish i ngjyrave Blaugrana ishte një ëndërr, edhe sepse tani nuk duhet të përballet më me personin që ka akuzuar gjithmonë për lamtumirën e parë nga Katalonja, ish-presidentin Bartomeu.

Kur u largua pas tripletës së dytë, Dani Alves akuzoi atë që ishte numri një në atë kohë, se nuk kujdesej për klubin. Tashmë, me llogaritë në dorë dhe duke pasur parasysh gjithçka ndodhi më pas me Barcelonën, rezulton se braziliani kishte të drejtë.

Ai shpjegoi së fundi se me Bartomeu si president nuk do të shkelte më kurrë në "Camp Nou". Megjithatë, për hir të Barcelonës, ai do ta hidhte pas krahëve sherrin me armikun e vjetër. Këtë e demonstrojnë disa biseda në Whatsapp mes Dani Alves dhe Bartomeu, të filtruara nga gazetari i "Culemanía", Víctor Malo.

Ato biseda u zhvilluan disa ditë pas disfatës 4-0 në "Anfield", që i kushtoi Barçës finalen e Champions League të sezonit 2018-2019. Në ato ditë, braziliani trokiti në derën e presidentit Bartomeu duke i shpjeguar se ishte gati të kthehej.

"Zoti President, si jeni? Dua të kthehem në shtëpi dhe të luaj Botërorin 2022 si lojtar i Barçës. Le të lëmë mënjanë krenarinë, kemi nevojë për njëri-tjetrin!" Padyshim një propozim paqeje, që duket se e pranoi edhe Bartomeu nga ana e tij: "Hej Dani! Nuk ka probleme, por stafi stërvitor duhet të jetë dakord. Ke folur me Abidal? Një përqafim i madh. Barto".

Megjithatë, në fund nuk u bë asgjë më shumë. Dhe vetë Dani Alves, i cili për këtë arsye akuzohet se ka gënjyer për pamundësinë e kthimit te Barcelona me Bartomeu në drejtim, ka justifikuar veten në lidhje me këtë në Twitter: “Për të gjithë ata që e duan Barcelonën nuk duhet të kursehen në këtë situatë të saj të vështirë. Pastaj, jeta e di se çfarë meriton secili prej nesh".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd