Transmetuar më 30-12-2021, 11:12

Më bëri përshtypje reagimi nervoz, joprofesional dhe haptazi antikushtetutë i Ministrit të Drejtësisë kundër një gjyqtareje të shkarkuar tashmë nga vettingu. Mesa kuptova, ngjarja ishte rutinë. Gjyqtarja në një mosmarrëveshje me palë shtetin ka dhënë një masë sigurie kundër këtij të fundit. Kaq ka mjaftuar dhe pa pritur apelin e vendimit, shpërthen ministri në akuza dhe kanosje ndaj gjyqtares.

Që të sqarojmë ligjërisht situatën dhe të kuptojmë përse ministri është në anën e antiligjit:

1. Përpara gjykatës, qeveria është thjesht njëra prej palëve. Asgjë më shumë sesa kaq. Kur palët reagojnë dhunshëm kundër gjykatës që jep vendim, në vartësi të dhunës së ushtruar, ata quhen kanosës e deri edhe terroristë.

Reagimi i ministrit ishte i dhunshëm dhe e klasifikon atë si kërcënim i pastër verbal. E vendosur në kontekstin e ndarjes së pushteteve, ajo deklaratë e ministrit quhet PRESION POLITIK i kryer haptas për të nënshtruar gjykatën! Nuk ka emër tjetër kjo sjellje.

2. Që me anëtarësimin në Këshillin e Europës, shteti shqiptar ka pranuar mosndëshkimin penal të gjyqtarëve për shkak të vendimeve që ata japin. Mbi këtë bazë, ne e kemi hequr nga Kodi Penal nenin bolshevik të dhënies së vendimit të padrejtë.

Në sistemin demokratik, vendimi i gjykatës është ligj. Ai mund të kundërshtohet vetëm në një gjykatë më të lartë dhe kaq. Por gjykatësi që jep vendimin nuk mban përgjegjësi ligjore pse jep vendim. Detyra e gjyqtarit është të japë vendime, pavarësisht sa na pëlqejnë ato. Nuk ka kriter tjetër që të dallojë pavarësinë reale të gjykatës nga pushteti politik!

3. Pas ndryshimeve Kushtetuese të 2016, Ministri i Drejtësisë nuk ka më asnjë rol në procesin disiplinor të gjykatësve. Ministri aktual e di këtë gjë, sepse e ka votuar atë Kushtetutë. Ndaj pozicioni publik që ai mori në atë çështje nuk qëndron në asnjë germë, pikë e presje të Kushtetutës.

Përkundrazi, ai qëndrim është haptazi anti kushtetutë dhe përbën presion të pastër ndaj gjykatës. Qëllimi nuk është shumë dënimi i gjykatëses konkrete, por kanosja e gjyqtarëve të tjerë. Mesazhi është i qartë: kush vendos kundër nesh e çojmë në SPAK. Ky është mesazhi i ministrit dhe qeverisë.

Po drejtësia?

SPAK duhet të gjejë mënyrën të reagojë duke provuar se nuk është instrument politik i qeverisë. Duhet të na bindë se është i pavarur në vendimmarrje. Hë për hë provat publike na sugjerojnë se SPAK vepron mbi deklarime politike të palëve ndaj njëri-tjetrit. Deklarimi i Edi Ramës se doktor Edvin Prifti u arrestua, kur ai ende nuk kishte shkuar në sallën e gjyqit është flagrant!

Hetimet pasurore të sforcuara ndaj gjykatësve të larguar nga Vetingu janë provë tjetër që ata nuk janë sovranë… Edhe çështja "Koka" ka filluar mbi një kallëzim politik…, ndoshta që të duket si i ballncuar?! Më në fund, shoqatat e gjyqtarëve dje dhe sot duhet të ishin në reagim ekstrem nga ky presion i hapur politik i qeverisë ndaj tyre.

Apo ç’e deshe?! U mësuan me të keqen apo janë një me të?! Kjo është çështja!