Transmetuar më 07-12-2021, 22:27

Albin Kurti u paraqit në takimin e radhës të nivelit të lartë me Bashkimin Europian me kërkesën për liberalizimin e vizave, ndërsa Brukseli i kërkoi Kryeministrit të Kosovës që të ngrihet asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kurti udhëhoqi delegacionin në takimet me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve, kreu i ekezkutivit kosovar ka përsëritur kërkesën se shtetet e Këshillit të BE-së duhet të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se BE-ja duhet që të lëvizë para.

“Kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe besojmë që BE-ja të lëvizë para. Integrimi në BE nuk ka alternativë. Ne jemi të motivuar të vazhdojmë reformat tona transformuese në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, në anën tjetër shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka folur edhe për çështjen e Asociacionit, duke përsëritur se marrëveshja e nënshkruar duhet të zbatohet.

“Asociacioni i komunave serbe është pjesë e procesit të Berlinit dhe presim që të gjitha marrëveshjet të respektohen dhe të përmbushen nga të dy palët. Është pjesë e marrëveshjes dhe duhet të implementohet”, është shprehur Borrell.