Transmetuar më 07-12-2021, 14:32

Prokuroria e Gostivarit ka nisur një hetim mbi një 37-vjeçar i cili dyshohet se ka përdhunuar një 11-vjeçare. Nëna e të miturës e kishte thërritur 37-vjeçarin, i cili shtirej si hoxhë për të “shëruar” vajzën nga magjia e zezë.

I dyshuari ka kërkuar që të lihet vetëm me fëmijën në një dhomë dhe dyshohet se e ka detyruar të kryejë akte seksuale. Kjo ka ndodhur dy herë, në datë 23 dhe 24 nëntor të këtij viti.

Sipas Prokurorisë së Gostivarit, kur nëna e ka thërritur për herë të tretë, vajza u i ka treguar nënës se çfarë ndodhi, e më pas, rasti është denoncuar në polici.

“I dyshuari i parë, 37 vjeçar, banues në Koçan, në dy raste më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka kryer akt seksual ndaj një fëmije të lindur në vitin 2012. Nëna e fëmijës ka thirrur të dyshuarin, i cili është prezantuar si hoxhë, për ta “shëruar” fëmijën nga magjia e zezë.

I dyshuari ka kërkuar të lihet vetëm me fëmijën viktimë në dhomë dhe e ka detyruar atë në akte seksuale. Viktima, nga frika nuk ika treguar asgjë nënës së saj. Por kur nëna ka dashur ta thërrasë për të tretën herë të dyshuarin më 5 dhjetor, vajza e shqetësuar ka treguar se çfarë po ndodh me të, pas së cilës ngjarja është denoncuar në polici”, thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Publike.

Nga Prokuroria gjithashtu sqarojnë se i dyshuari, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tjerë nga Gostivari, kanë mashtruar një viktimë tjetër.

“I dyshuari i parë, në marrëveshje me dy të tjerët, i është prezantuar të dëmtuarës si hoxhë i cili do ta ndihmojë në largimin e magjisë së zeza nga shtëpia e saj. Në disa raste, të tre e bindën atë se për të hequr magjitë, duhej të nxirrnin objekte të ndryshme nga varrezat dhe kështu të nxirrnin magjitë nga ajo dhe shtëpia e saj. Për shërbimin i kanë kërkuar gjithsej 98.000 denarë. Kur ata filluan të bien dakord për një takim të ri, e dëmtuara dyshoi se ajo ishte mashtruar dhe rastin e denoncoi në polici”, njoftojnë nga PTHP-ja.

Për të dyshuarin e parë, Prokuroria Themelore Publike-Gostivar, gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë janë propozuar masa të kujdesit.