Transmetuar më 28-11-2021, 09:23

Braktisi fëmijët e mitur dhe burrin për tu martuar me të dashurin emigrant nga Elbasani, por nuk do ta ketë aq të lehtë 26 vjeçarja Arjeta Cauli.

Ishte vëllai i saj, që e shpalli të humbur 26-vjeçaren, e cila mesa duket kishte nisur një jetë të re si ‘nuse’ e shtëpisë së një emigranti nga Elbasani.

Mësohet se ajo nuk i kishte treguar familjes së re që ishte e martuar dhe që ishte në proces divorci.

Tashmë, 26 vjeçarja, e cila u gjet mbrëmë rreth orës 23:00, do të procedohet penalisht për braktisjen e fëmijëve të saj të mitur.

Pas marrjes së denoncimit policia e Durrësit nisi kërkimet.

‘Nga informacionet e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore të kryera rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar, u bë gjetja dhe kapja e shtetases të shpallur në kërkim A.C., banuese në lagjen Nr. 13, Durrës’, citohet në njoftimin e policisë.

Për këtë shtetase filloi procedimi penal sepse më datë 22.11.2021, ka braktisur 2 fëmijët e mitur dhe ishte larguar me dëshirën e saj duke bashkëjetuar me shtetasin A.K., banues në Labinot Mal Elbasan.

Materialet i kaluan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.