Transmetuar më 26-11-2021, 18:04

Ish-Kryeministri Sali Berisha ditën e sotme është ndalur në Kurbin me “Foltoren” e tij. Ai ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se do të pësojë të njëjtin fat si Fatos Nanos.

“Edvin, fundin e ke të afërt. Mjerë ti çdo heqësh. Edvin, atë paralajmërim që ia pata bërë Fatos Nanos, po ta bëj dhe ty nga kjo sallë. Fatin e tij do pësosh nga burrat dhe gratë e Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë. Bëj gati valixhet. Nisu për Beograd, në Shqipëri s’ke vend. Mos harro të marrësh me vete dhe Lul pengun”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë më herët Sali Berisha hodhi akuza të tjera ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha duke thënë se mes tij dhe Edi Ramës ka një pazar.

“Në Tiranë qarkullon një fjalë se Edi Rama, atyre që u kërkon 20%, kur raportojnë se e çuan në këtë adresë, u kthehet dhe u thotë, por mua s’më mbetet gjë se 20% detyrohem t’i japë dhe Lulit. E thash këtë fjalë që qarkullon, e cila shpreh pazaret e turpshme që bëri kreu i opozitës, kundër idealave të pastra tuaja për pasurimin e tij.” tha Berisha.