Transmetuar më 25-11-2021, 21:53

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka bërë me dije se Amerika kërkonte përjashtimin e liderit historik të PD-së, Sali Berisha nga partia që e themeloi dhe nga Kuvendi i Shqipërisë si deputet i kësaj force.

Por Basha tha se ishin negociatat e tij që sollën në “zbutjen” e kërkesave të SHBA.

"Kush është politikani dhe njeriu Sali Berisha? Unë në asnjë moment nuk kam shkelur mbi 16 vite bashkëpunim me të. Kemi shkaktuar dëme dhe përplasje gjatë qeverisjes sonë. Ndarja me Berishën është 9 shtatori. Kam marrë një vendim të bazuar në statut, të bazuar në përgjegjësitë e lidershipit. Mund të them që ka qenë një ditë dramatike përjashtimi i Berishës. Unë nuk e komentoj vendimin e DASH, vendimin tim po. Nuk bëhet diçka për një gjë as të thjeshtë dhe as të lehtë.

Barra e kreut të PD ishte vendosja në peshore e interesit të partisë dhe Sali Berishës. Ai ka pasur respektin dhe besnikërinë time. Sa herë bëhej fjalë për interesin e tij, kam ceduar edhe në atë të kryetarit të PD-së. Nëse nuk e bëja do të izolohej PD nga çdo kontakt me Amerikën. Nuk ka kërkuar pezullimin e Berishës, po përjashtimin nga Kuvendi por edhe përjashtimin nga Partia. Produkti për të gjetur një zgjidhje, në këtë moment valë investimin u gjet në pezullimin duke bërë realitet premtimin e Berishës se në betejë nuk do të përfshinte PD-në,"-tha Basha në ‘Open’.

Ndër të tjera, zbuloi bisedën me Berishën, i cili ka thënë se nuk vë as PD as demokratët para vetes teksa diskutonin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

"Unë di që kam vendosur që të mos pështyj në 16 vite bashkëpunim me Sali Berishën. Këto janë fakte. Unë i kam qëndruar fjalëve të mia. Unë jam konseguent. Përgjegjësia ime kryesore është jo t’i fshihet vendimeve të vështira. E kam kalkuluar shumë mirë sepse ma ka thënë në sy dhe unë ia kam thënë. Ma ka thënë në sy që para vetes nuk vë as PD dhe as demokratët.

Ma ka thënë që në ditën e parë kur kemi nisur diskutimet lidhur me këtë çështje. Berisha njihet për emocionalitetin dhe energjinë e tij, nuk kthehet edhe kur e ka gabim. Kur ai ka qenë kryetar.një nga vlerat që kanë shtuar ka qenë racionaliteti me kriza. Kur u përballëm me “non gratën” i kam thënë të mos futemi në konspiracione. Mos të gënjejmë veten tonë. Të shikojmë çfarë mund të arrijmë për shqetësimet e tuaj. Ky ka qenë debati për 2 muaj e gjysmë. Dinjiteti, kam besuar se nuk zerohen arritjet e Sali Berishës", tha Basha.