Transmetuar më 25-11-2021, 08:21

Zhvlerësimi i lirës ka provokuar protesta në Turqi pasi aktualisht 13.54 Lira shkëmbehen me 1 Dollar. Paga mujore bazë në Turqi ka rënë në 230 Dollarë, më e ulët se ajo në Kinë.

Zhvlerësimi i Lirës kundrejt Dollarit ka shkaktuar krizë të rëndë edhe në dyqane e farmaci.

Supermarketet e mëdha në Turqi kanë paralajmëruar qytetarët se mund të blejnë deri në 2 pako kafe, e nga dy kg sheqer, vaj e produkte të tjera ushqimore.

Nëpër shumë dyqane mungojnë mallrat bazë. Popullsia po varfërohet, e kjo gjë ka shkaktuar zemërim te qytetarët.

Nëpër rrugë kanë dalë protestues të cilët shprehin revoltën ndaj Presidentit Erdogan dhe partisë në pushtet, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Në aspektin ekonomik, bankat nuk japin më kredi dhe transaksionet mes tregtarëve kryhen më së shumti me para në dorë, në Euro dhe Dollarë, dhe jo në rrugë bankare.

Ndërkohë, transaksionet për pasuritë e patundshme janë anuluar për shkak të pasigurisë për ndryshimin e kursit të këmbimit.

Edhe në tregtinë e pajisjeve elektronike ka një bllokim. Kompania amerikane Apple ka pezulluar të gjitha shitjet online të iPhone dhe produkteve të saj në Turqi për shkak të zhvlerësimit të monedhës Lira. Ka raportime që edhe kompania Samsung ka marrë vendim të ngjashëm.

Kriza që po përjeton Turqia nuk është pasqyruar në mediat më të mëdha vendase, por pamjet e trazirave janë shpërndarë në rrjetin social Twitter.