Transmetuar më 24-11-2021, 12:21

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me eurobondin prej 650 milionë eurosh që ka marrë disa ditë më parë qeveria në tregjet ndërkombëtare.

Ibrahimaj e konsideroi ‘historik’ afatin e gjatë prej 10 vitesh të maturimit, ndërsa ky borxh do të duhet të shlyhet deri në vitin 2031.

Ibrahimaj sqaroi se kuponi i Eurobondit ishte 3.5% ndërsa norma e interesit afatgjatë ishte 3.75%, teksa thekson se emetimi i tij rikonfirmuar besimin e investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare në ekonominë e vendit tonë. Me marrjen e këtij Eurobondi, borxhi publik i Shqipërisë shkon në 80.2%.

"Shqipëria ka dalë për herë të 5 në tregjet ndërkombëtare, ky operacion u mbyll me sukses dje. Eurobondi u emetua me vlerën 650 mln euro dhe afat maturimi 10 vjeçar. Kuponi i eurobondit ishte 3.5% ndërsa norma e interesit afatgjatë ishte 3.75%. Krahasuar me dy Eurobondet e fundit, ky pati një kupon që është në një vlerë të barabartë me 2020, por këtë radhë ka një veçanti, zgjatja e maturimit është 3 vite më larë, maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë në emetimin e titujve ndërkombëtare", tha ministrja.

E pyetur se ku do të investohen paratë e këtij Eurobondi, Ibrahimaj tha se do të financojë investimet madhore të qeverisë dhe do të mbështesë sektorët kryesorë, atë shëndetësisë, arsimit e bujqësisë.

"Na jep likuiditet të nevojshëm për financimin e nevojave për vitin 2022. Eurobondi do të shkojë për të financuar nevojat e buxhetit për këtë vit dhe vitin 2022. Do të përdoret për mbështetje buxhetore që lidhet me projekte madhore që qeveria ka, projekte të mëdha infrastrukturore, lidhet me nevojat për mbështetje të sektorëve kryesorë, shëndetësia, arsimi, bujqësia, pra për reformat madhore që qeveria ka", thekson Ministrja.