Gjatë intervistës ekskluzive për katalanasen “SPORT”, Leo Messi analizon rutinat e reja të jetës në Paris dhe ambiciet e tij me klubin që nuk iu desh një javë për të nënshkruar me të, pasi e kuptoi se nuk mund të vazhdonte te Barcelona. Po kështu, 34-vjeçari trajton çështje kyçe të karrierës së tij, si titujt me Argjentinën, “Topin e Artë”, bën një bilanc të gjithçkaje. Gjithashtu, tregon se çfarë pret deri në “pension”.
Në dhjetor 2022 do të zhvillohet Kupa e Botës. Çfarë prisni prej saj?
Jam shumë i preokupuar për të bërë gjëra të mëdha. Ne vijmë nga fitimi i Kupës së Amerikës, pasi e kishim kërkuar suksesin kaq gjatë, nga të qenit kaq afër për kaq shumë kohë, pa qenë në gjendje të shenjtëroheshim si ekip kombëtar. Pas kësaj, iluzioni është i madh për atë që do të vijë. Sot për sot jemi mirë. Megjithatë, ende duhet të bëhemi një nga kandidatët më të fortë. Nuk jemi plotësisht gati, sepse ka ekipe më të mira. Jemi në rrugën e duhur, dinamika dhe atmosfera është e mirë. Fitorja ndihmon shumë dhe kjo do të na bëjë të rritemi më tepër.
Në “Katar 2022” do të jeni 35 vjeç. Çfarë prisni pas këtij turneu? Ndoshta tërheqjen?
Jo, jo dhe aq. Jo në të vërtetë. Pas asaj që më ndodhi, jetoj ditë pas dite, vit pas viti. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në Kupën e Botës së Katarit apo pas saj. Unë nuk mendoj për këtë. Çfarëdo që duhet të ndodhë në atë moment do të ndodhë.
A mendoni se mund ta fitoni të shtatin “Top të Artë”. Cili është favoriti?
Çmimi im më i madh ishte ai që arrita me kombëtaren. Pasi kisha luftuar dhe luftuar aq shumë për atë arritje, ishte më e mira se gjithçka tjetër. Nëse e fitoj sërish “Topin e Artë”, do të ishte diçka e jashtëzakonshme. I shtati do të ishte çmenduri. Nëse jo, asgjë nuk ndodh. Tashmë e kam arritur një nga objektivat e mia të mëdha. Jam shumë i lumtur për atë që ndodhi.
Ne po fillojmë të shohim një imazh atipik tek ju: duke qarë për largimin nga Barça, për fitimin e Kupës së Amerikës, për festimin e titullit me tifozët argjentinas… A kemi parë ndoshta një Messi më të ndjeshëm në këtë pikë të karrierës suaj?
Hahaha. Si të fitosh me kombëtaren, ashtu edhe ta festosh titullin me popullin e Argjentinës, janë gjëra shumë domethënëse. Pastaj, ishte hera e parë që kishte publik pas fitimit të Kupës së Amerikës. E kisha menduar shumë herë të qëndroja para tyre, duke iu treguar një trofe. E kisha bërë shumë me Barcelonën, por jo me kombëtaren time. Pastaj, po largohesha nga shtëpia ime pas 20 vitesh dhe nuk është kurrë e lehtë. Ishte një ndryshim shumë i madh për mua.
Si do të dëshironit të hyni në histori?
Nuk e di. E vetmja gjë që jam përpjekur gjithmonë të bëj është respekti dhe përulësia, të luftoj për ëndrrat dhe qëllimet e mia. Më është dashur të bie shumë herë. Gjithmonë vendosa të ngrihesha dhe të provoja përsëri. Më ka ndodhur shumë herë me Barcelonën dhe më shumë me Argjentinën, me shumë humbje të dhimbshme. Mesazhi për fëmijët që më ndjekin është të luftojnë për ëndrrat e tyre, sepse gjithçka është e mundur.
A ka ndonjë rekord që ju emocionon veçanërisht?
Jo. Unë jam mirënjohës për të gjitha rekordet që kam me Barcelonën, shumë prej të cilëve ishin të vështirë për t’u kapërcyer. Shpresoj që dikush tjetër t’i tejkalojë rekordet e mia. Deri atë ditë do të jetë fantastike të jem pjesë e historisë së atij klubi.
A jeni ende i lumtur në fushë, me topin në këmbë?
Po, sigurisht. Nëse jo, nuk do të garoja në këtë pikë, duke kërkuar sfida të reja. Më pëlqen shumë ajo që bëj dhe dua të vazhdoj të fitoj tituj. Sa më shumë, aq më mirë, por gjithmonë duke shijuar çdo moment.
Si po shkojnë këto muajt e parë te PSG?
Që kur mbërrita u ndjeva sikur isha në dhomën e zhveshjes për një kohë të gjatë, sepse kam shumë të njohur, njerëz që flasin spanjisht. Kjo më ndihmoi të përshtatesha shumë më shpejt, sinqerisht. Në rrafshin sportiv duket se nuk fillon kurrë, sepse kam çdo muaj një ndeshje me kombëtaren. Kjo i bën gjërat më të vështira, por pak nga pak po hyj në dinamikën e klubit. Përtej faktit që kam dy muaj këtu, s’kam luajtur ende shumë ndeshje. Ende po mësohem me disa gjëra.
Cili ka qenë momenti më i keq dhe momenti më i mirë i këtyre dy muajve?
Momentet e këqija ishin në fillim, kur erdha papritur këtu, kalova një muaj e gjysmë në hotel. Nuk ishte e lehtë kjo për tre djemtë, që tashmë kishin filluar shkollën. Ne rrinim në qendër të Parisit dhe kjo e bënte trafikun të padurueshëm. Na duhej një orë për të shkuar në shkollë dhe një orë në stërvitje. Fëmijët nuk mund të duronin më në hotel. Kjo ishte e vështirë. Në të njëjtën kohë u përpoqëm të shijonim eksperiencën, derisa u vendosëm në shtëpi. Kjo e bëri gjithçka më mirë.
Cilat janë synimet tuaja me PSG-në? E shihni veten si favorit për të fituar Ligën e Kampionëve?
Po, kur erdha këtu ishte një nga arsyet kryesore. Ashtu si kur thashë në lamtumirën time, deri në momentin e fundit që do të luaj futboll do të përpiqem të fitoj trofe. Kur mora vendimin për të ardhur te PSG, fitimi i Champions-it ishte një nga arsyet. Këtu kemi një skuadër të madhe, ekziston dëshira për t’u rritur si klub, për të fituar Ligën e Kampionëve pas kaq shumë vitesh përpjekje.
Si është marrëdhënia juaj me Neymar dhe Mbappe? Si ju pritën?
E vërteta është se e gjithë dhoma e zhveshjes më priti në mënyrë spektakolare. Kjo m’i lehtësoi shumë gjërat. Unë kam pasur një marrëdhënie të gjatë me Ney, vazhdonim të flisnim, pavarësisht se nuk luanim më bashkë. Me Kylian, në fillim ishte e çuditshme, sepse nuk e dinim nëse do të qëndronte apo do të largohej. Fatmirësisht po njihemi më shumë, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Kemi një grup të mirë dhe të shëndetshëm në dhomat e zhveshjes.
Cila treshe është më e mirë, MSN e Barçës apo MNM e PSG-së?
Nuk mund të krahasohen, sepse janë të ndryshme. Luis është një tjetër tip “9”, me karakteristika të ndryshme nga Mbappé. Kylian po luan vitet e fundit si sulmues i jashtëm. Luis është më shumë golashënues si qendërsulmues. Kylian është më shumë efikas kur vjen nga krahët dhe vret me shpejtësinë e tij. Unë isha me fat si pjesë e asaj tresheje të Barçës, e cila ishte e mrekullueshme. Shpresoj që me tridentin aktual të fitoj njësoj si me të mëparshmin.
Çfarë ndryshon te PSG dhe në Ligue 1?
Jam mësuar te Barcelona gjatë gjithë jetës sime. Atje duhej të zotëronim dhe qarkullonim topin pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, në të gjitha ndeshjet, të menaxhonim ritmet dhe kohën. Historikisht është luajtur kështu në atë klub. Sot po përshtatem me një klub të ri, një mënyrë të re të lojës, një ligë të re. Nuk e di se çfarë do të jetë më mirë për mua. Përpiqem të përshtatem sa më shpejt dhe të ndihmoj ekipin.
Në Champions League e ke nisur mirë, me tre gola në tri ndeshje. A është ky kompeticion qëllimi juaj i madh?
Po, është qëllimi im i madh dhe i klubit. Këtu kanë “vënë bast” për ta fituar Ligën e Kampionëve prej një kohe të gjatë. Ishin shumë afër me shkuarjen në finale, tani ky është qëllimi i madh. Ne jemi një nga kandidatët, por jo të vetmit. Të gjithë flasin për PSG për shkak të lojtarëve që ka, por ka edhe skuadra të tjera shumë të mira, që punojnë së bashku prej vitesh, si Manchester City, Bayern Munich, Liverpool, Atlético Madrid, Chelsea… Ka një sërë skuadrash me fuqinë për të fituar Champions-in. Jo gjithmonë fiton më i miri, sepse varet nga shumë detaje apo rrethana. Çdo gjë mund të ndodhë, por jemi një nga kandidatët.
Si është jeta juaj në Paris? Shumë ndryshe nga Barcelona?
Po, është ndryshe. Në “Castelldefels” ishim mësuar keq, e kishim gjithçka të lehtë, afër. Do t’i çoja fëmijët në shkollë, do të vija, do të stërvitesha, do të shkoja në shtëpi për të ngrënë, do t’i merrja fëmijët. Sot nuk më mjafton koha të shkoj të marr fëmijët në shkollë dhe të shkoj në stërvitje. Personalisht, më pëlqen të jem në shtëpi. Në Barcelonë nuk dilja edhe aq shumë. Për fëmijët dhe Antonela ka qenë ndryshimi më i madh, sepse ata jetonin përditë me miqtë, duke bërë gjëra me ta. Shokët e vegjël të fëmijëve vinin në shtëpi gjatë gjithë kohës. Tani po bëjnë miq të rinj dhe po përshtaten me qytetin. Mendoj se ishte ndryshimi më i madh për ta.
E dhimbshme?
Shumë, të them të vërtetën. Ishte e dhimbshme edhe një vit më parë, kur u hap çështja e burofax. Në fund biseduam dhe qëndrova. Pak a shumë u binda të vazhdojë deri në fund te Barcelona. Largimi kësaj vere ishte krejt i papritur. Isha i bindur se do të qëndronim në Barcelonë. Që do të vazhdonim atje, u kishin thënë edhe kolegëve, miqve. Dhe pastaj, papritmas, na u desh të largoheshim nga Barcelona dhe brenda një jave ishim tashmë në një qytet tjetër, gjithçka e re. Ishte e vështirë për të gjithë.
Nga Barcelona në Paris. Nga “Camp Nou” në “Parce des Princes”. Çfarë ndryshimi, apo jo?
Ishte një ndryshim i madh që, siç thashë në atë kohë, nuk e imagjinoja. Fatmirësisht, tashmë jam sistemuar; fëmijët janë tashmë në shkollë, pak a shumë jemi mësuar me rutinën e përditshme dhe ndihemi të lumtur.
Kanë kaluar dy muaj nga largimi juaj nga Barça. A jeni mësuar me këtë ide?
Kur i shikoj ndeshjet, më bën të ndihem si pjesë e Barcelonës. Më kujtohen gjëra nga ndeshjet në “Camp Nou”, po rijetoj pak nga gjithçka që kisha atje. Tani, siç e thashë, jam më i qetë, kam asimiluar gjithçka në Paris dhe, padyshim, mendoj për gjithçka kam këtu, në rrafshin sportiv dhe familjar. Ne po shijojmë edhe qytetin këtu, i cili është i mrekullueshëm, pavarësisht motit.
Laporta komentoi se kishte menduar se do të pranonit të luanit falas tashmë te Barça. A do ta kishit bërë, nëse do t’ju kërkohej?
E vërteta është se, siç e shpjegova gjatë lamtumirës, bëra gjithçka që ishte e mundur për të qëndruar. Kurrë, në asnjë moment, nuk më kërkuan të luaja falas. Më kërkuan që të shkurtoja rrogën me 50 për qind dhe e bëra pa asnjë problem. Ne ishim në gjendje ta ndihmonim më shumë klubin. Dëshira ime dhe e familjes ishte të qëndronim në Barcelonë. Askush nuk më kërkoi të luaja falas, por në të njëjtën kohë më duket se fjalët e presidentit nuk janë me vend. Ai më lëndoi, sepse mendoj se nuk kishte nevojë ta thoshte këtë. Kjo i bën njerëzit të mendojnë, gjeneron një lloj dyshimi që unë mendoj se nuk e meritoj.
A keni folur sërish me Laportën?
Jo.
A do të ktheheni në Barcelonë kur t’ju përfundojë kontrata me PSG-në, pas dy sezoneve?
Nuk e di. Ajo që është pothuajse e konfirmuar dhe e sigurt; ne do të jetojmë përsëri në Barcelonë. Jeta jonë do të vazhdojë atje. Është ajo që dëshiron gruaja ime, edhe ajo që dua unë. Nuk e di nëse kur të mbarojë kontrata ime me PSG, por për të jetuar do të kthehemi në Barcelonë.
Po te Barça?
E kam thënë gjithmonë se do të doja të isha në gjendje ta ndihmoja klubin. Nëse do të jem i dobishëm, nuk do të kursehem aspak. Do të doja të isha sekretar teknik në një moment. Nuk e di nëse do ta mbaj këtë rol te Barcelona apo jo. Ose nëse do të kem një rol ndryshe. Nëse ka mundësi, do të doja të kontribuoja përsëri me atë që mundem, sepse është klubi që dua.
Si e shihni Barçën për momentin? A mendoni se mund të fitojë tituj këtë sezon?
E shoh sa herë që mundem. U shfaqën djem të rëndësishëm dhe shumë të mirë, siç ishte Gavi. Në nivel ekipor duket mirë. Kun dhe Dembélé do të jenë ndihmë e madhe për ekipin.
A keni marrëdhënie me ndonjë nga ish-kolegët tuaj?
Po, flas shpesh me Kun Agüero, i cili nuk ishte partner, por është një mik i madh. Me Busin, me Jordi Alba flas shpesh.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd