
Sikurse bëri në prag të derbit të madh të kryeqytetit, Tirana-Partizani 1-0, FSHF ka publikuar disa shifra mjaft të rëndësishme për një tjetër përballje të kësaj jave. Kështu, disa orë para startit të klasikes së futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, sektori përkatës i analizave dhe statistikave në federatë ka bërë prognozën e vet profesionale, si vijon:
“Tani për tani, skuadra kryeqytetase ka hasur më pak pengesa se Vllaznia, por kampionati është ende i gjatë dhe gati të ofrojë sërish shumë surpriza. Duke analizuar statistikat e kampionatit, Tirana dhe Vllaznia nuk janë skuadra që dominojnë në zotërimin e topit. Konkretisht, Tirana ka një mesatare prej pak më shumë se 50%, ndërsa mesatarja e zotërimit të topit nga Vllaznia është 46.2%.
Megjithatë, kjo e dhënë e zotërimit të topit nuk ua heq dy skuadrave aftësinë e spikatur për të prodhuar goditje drejt portës kundërshtare. Krahasuar me javën e kaluar, në fakt, Tirana ka ruajtur lidershipin në kampionat.
Ajo ka gjuajtur 80 herë drejt portës kundërshtare, ndërsa Vllaznia e ka arritur Partizanin në vendin e dytë, në këtë renditje, me 77 goditje drejt portës. Duhet nënvizuar se ka një ndryshim në cilësinë e goditjeve: Tirana ka shënuar gol në 37.5% të gjuajtjeve drejt portës, ndërsa Vllaznia vetëm në 30% të rasteve.

Tirana është skuadra që pëson më pak goditje në kampionat, me vetëm 34 të tilla, ndërsa Vllaznia është e katërta, me 59 goditje. Kjo shifër ndikon në ecurinë e skuadrave në kampionat. Mbrojtja shumë e mirë e Tiranës, padyshim e para për më pak gjuajtje të marra në kampionat, tani për tani është faktor vendimtar në ecurinë e këtij kampionati.
Në fakt, të dhënat sesi dy skuadrat rikuperojnë topin janë më interesante. Vllaznia është e dyta në renditjen për topa të rikuperuar (ndërhyrje në trajektoret e topit), 257; ndërsa Tirana është e teta në këtë renditje me 209 rikuperime.
Ndërkaq, kjo e dhënë konfirmohet në sasinë e dueleve mbrojtëse (përpjekje për të ndërhyrë në duele): Tirana është e dyta në kampionat me 474 duele në mbrojtje, Vllaznia e pesta me 414. Kjo do të thotë se Vllaznia mbrohet më shumë në repart se Tirana, e cila në vend të kësaj zgjedh të luajë shumë një kundër një kur nuk e ka topin në zotërim.
Shënimi i fundit për trajnerët: Pas Skënderbeut, që është skuadra me më pak zëvendësime në kampionat, Tirana dhe Vllaznia kryejnë shumë pak zëvendësime: Vllaznia 22 dhe Tirana 23. Edhe pse renditja e sheh Tiranën përpara të tjerave, statistikat e “Abissnet Superiore” tregojnë një ekuilibër të madh në këtë kampionat, ku skuadrat ndryshojnë çdo javë pozicione në renditjen specifike”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





