
Transferta shkodrane nuk është e lehtë për askënd, por njëkohësisht konsiderohet e mirëpritur nga çdo trajner. Kjo për faktin se luhet larg çdo ndikimi subjektiv, nuk mund të flitet për dhunë e presion tifozërie, përkundrazi, nëse luan mirë, në “Loro Boriçi” duatrokitet edhe kundërshtari.
Orges Shehi e di mirë këtë, sepse e ka provuar si futbollist dhe trajner. Nesër shkon drejt kryeqendrës së veriut me petkun e kryesuesit të Superiores, me 5 pikë më shumë se Vllaznia. Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhebluve është treguar i matur:
“Vijmë pas një fitoreje në derbi, që na jep ndjesi pozitive. Sidoqoftë, tashmë gjithçka kaluar dhe duhet të fokusohemi te ndeshja e nesërme, pasi do të përballemi me një kundërshtar mjaft të fortë. Vllaznia-Tirana është klasikja e futbollit shqiptar.
Do të përballen dy skuadra mjaft të forta, të cilat kanë në organikën e tyre lojtarë që mund të bëjnë diferencën e të dhurojnë spektakël. Do të jetë sfidë shumë e luftuar dhe me rivalitet, ndaj shpresoj t’ia dalim. Mendoj se nuk duhet të jemi të varur nga një individ, pasi kushdo që do të luajë, do të japë maksimumin.
Kemi pasur pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur, gëzimi është i madh për fitoren në derbi, por nuk ka vend për eufori. Ka ende shumë javë kampionati për t’u luajtur. Natyrisht, ndaj Vllaznisë do të jetë e vështirë, pasi edhe sezonin e kaluar ky rival garoi për titull, duke dalë i dyti vetëm prej golaverazhit.
Statistikat i përkasin të shkuarës dhe nuk vlejnë në fushë. Edhe para derbit u tha që nuk kemi fituar së fundi, por në fushë morëm tri pikët. Ne jemi skuadër e re, na pret ende shumë punë përpara, por quhemi Tirana, ndaj dihen objektivat.
Shumicën e gjërave dua t’i bëj si në derbi, por jo gjithmonë dalin për mirë. Edhe unë gaboj, ashtu si lojtarët. Duhet të futemi në fushë me përqendrim maksimal dhe ta vlerësojmë kundërshtarin. Në futboll janë shumë të rëndësishme ndeshjet direkte, tregojnë forcën reale të kujtdo”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





