Transmetuar më 29-10-2021, 09:05

Javët e fundit nuk kanë qenë të pakta daljet publike të Antonio Cassano, teksa deklaratat e tij kanë shkaktuar debate, madje edhe ndezjen e rrjeteve sociale. Deklarata e fundit, sipas rendit kronologjik, është ajo që ka të bëjë mbi Francesco Totti: “Për 20 vite, Totti do të harrohet, ndërsa Maradona, Messi, Cruyff do të mbahen mend përgjithmonë…”

Një frazë që së bashku me të tjerat ka ndezur disa nga figurat e skenës aktuale dhe të kaluar të futbollit italian. Ai që përshtatet në mënyrë të përkryer mes brezave të ndryshëm është Zdenek Zeman, trajneri aktual i Foggia, me të kaluar në stolin e Romës. Trajneri bohemian i ishte përgjigjur “flakë për flakë” Cassanos: "Pas 20 vitesh, a do ta kujtojmë Cassano? Në Bari po. Në Romë? E vështirë. Ai bëri mirë, por jo si të tjerët".

Dje, siç pritej, “Striscia la Notizia” e shpërbleu Cassano me “Tapiro d’Oro”. Ish-sulmuesi barez, i provokuar nga fjalët e trajnerit veteran, Zeman, sigurisht që nuk u përmbajt: "Zeman pretendon se Totti do të mbahet mend nga të gjithë, ndërsa unë vetëm në Bari? Edhe ai flet tani, u zgjua nga përtej varrit…"

Më pas, ish-lojtari i kombëtares italiane thelloi konceptet e shprehura për Totti, duke u vetëpastruar nga akuzat për zili: "Nuk kam pasur kurrë zili askënd dhe s’jam lakmitar. Kam një familje të mrekullueshme, jam i lumtur, aq sa luaj padel. Në Itali ka shumë lëpirës".

Mes çështjeve u prekën edhe polemikat me Beppe Marotta, i cili kishte shpjeguar më herët për të se “nuk i mungonte talenti, por nuk u bë kurrë kampion”. Cassano nuk kursehet as ndaj drejtorit aktual sportiv të Interit: “Marotta duhet të më falënderojë nëse shkoi te Juventusi, sepse ai ende ëndërron rezultatet që ka arritur këtu në Genoa. E përsëris, për mua është i paaftë. Ai nuk njihte as lojtarët e Sampdorias”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd