Transmetuar më 28-10-2021, 07:04

Një zë i dashur për të gjithë shqiptarët, këngëtarja e njohur Eranda Libohova është nderuar me titullin "Mjeshtër i madh", akorduar nga Presidenti i Republikës.

Eranda ka marrë titullin të mërkurën në Presidencë në një ceremoni të veçantë, raporton noa.al.

Këngëtarja e ka përjetuar me emocion çmimin që mori dhe shprehet shumë e lumtur: "Një jetë e tërë në skenë duket sikur merr tjetër kuptim kur kurorëzohet me një titull. Më duket sikur gjithçka mori vlerë, puna, lodhja, sfidat e një jete jo dhe kaq të shkurter, 35 vite…, tani që e mendoj qenka goxha…

Për mua nuk është thjesht një trofe, është shprehja më e lartë e mirënjohjes dhe dashurisë, ajo çka unë në të vërtetë jam munduar të jap me këngën time, me zërin tim, me jetën time… emocione dhe shumë dashuri".

Eranda Libohova, e lindur më 11 shtator 1969, nisi karrierën artistike kur ishte ende adoleshente. Në fillimet e saj u bë e njohur kryesisht në duetet me motrën e saj Irma Libohova (62 vjeçe). Shumë shpejt ajo ishte ndër stolistet më të dashura të festivaleve dhe në vite ka realizuar bashkëpunime dhe me plot këngëtarë të tjerë. Fakt është se Eranda shquhet jo vetëm në këngët e muzikës së lehtë por edhe ato popullore, si të jugut, edhe Veriut dhe Shqipërisë së Mesme.

Pjesa më e madhe e kolegëve e uruan këngëtaren për çmimin e marrë, siç shihni më poshtë.

Ndër urimet e tjera ishin të ndjekësve e mes tyre dhe një "merak" përse çmimin nuk e mori edhe motra e Erandës, Irma. Duke qenë se ndjekësja nuk e dinte, Eranda i kujtoi faktin se e motra e kishte marrë këtë çmim kohë më parë.

/noa.al