Transmetuar më 28-10-2021, 08:52

Sezoni 2021-2022 zgjati dy muaj për Ronaldo Koeman në krye të Barcelonës. Trajneri holandez, në fakt, u shkarkua zyrtarisht nga klubi blaugrana pas një fillimi padyshim zhgënjyes, si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Pas humbjes 1-0 ndaj Rayo Vallecano, ku klubi kryeqytetas e mundi Barcelonën falë golit të Falcaos, presidenca mori vendimin për ta ndryshuar stafin teknik, pa e kthyer kokën pas. Nuk mund të toleroheshin më tri humbjet në katër ndeshjet e fundit të La Liga-s dhe disfatat në Champions. Ja njoftimi i klubit katalanas:

"FC Barcelona shkarkoi Ronald Koeman si trajner të ekipit të parë. Presidenti Joan Laporta e informoi atë pas disfatës ndaj Rayo Vallecano për këtë vendim. Ronald Koeman do të përshëndesë ekipin të enjten në ‘Ciudad Deportiva’. FC Barcelona e falënderon për shërbimet e ofruara dhe i uron suksese në karrierën e tij profesionale”.

Gjashtë pikë larg kreut të La Liga-s, me 15 pikë të grumbulluara, Barcelona u shfaq vazhdimisht në vështirësi në këtë pjesë të parë të sezonit, e mundur nga Atletico Madrid, Real Madrid dhe Rayo Vallecanos; por jo vetëm. Dështimet erdhën edhe në Ligën e Kampionëve kundër Benfica e Bayern Munich, para të vetmes fitore në fazën e grupeve ndaj Dinamo Kievit.

Koeman u sulmua nga tifozët e Barcelonës ndërsa po largohej nga “Camp Nou” pas “nokautit” kundër Real Madridit në “El Clasico”. Pas Koemanit, tani hapet “ankandi” për pasuesin e tij. Kontaktet e para kanë nisur me Xavi, aktualisht në stolin e Al-Sadd, por i destinuar herët a vonë ta drejtojë klubin me të cilin u bë legjendë.

Sipas asaj që ka mësuar “Goal”, ish-mesfushori spanjoll do të ishte i gatshëm ta merrte që tani drejtimin e Barcelonës, çka e sheh si shans të madh për karrierën e tij si trajner.