Transmetuar më 26-10-2021, 10:17

Në momentin delikat që po përjeton Manchester United, bie në sy situata e Paul Pogba. Francezi ka qenë vazhdimisht në qendër të thashethemeve të ndryshme të tregut dhe asnjëherë vendimtar që nga rikthimi i tij në Angli, disa vite më parë.

Të gjitha këtyre iu shtohen episode si ai i ndodhur të dielën në “Old Trafford”. Menjëherë pas hyrjes në fushë, në pjesën e parë, kur rezultati ishte 0-4 për Liverpool, Pogba mori karton të kuq dhe e la ekipin e tij me 10 lojtarë.

Legjenda e “Djajve të Kuq”, Paul Scholes, e kritikoi ashpër francezin:  “Paul Pogba hyri në fushë në pjesën e parë për të provuar ta ndihmojë ekipin, u përpoq ta marrë topin dhe të tregojë se sa i fortë është në mesin e fushës, por favorizoi golin e Liverpool.

Më pas u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq për një ndërhyrje qesharake. E la në baltë ekipin e tij, me 10 lojtarë në fushë. Personalisht ngre pyetjen: nëse Ole është ende trajner, a do ta shohim sërish Pogba me fanellën e Manchester United?”

Ky është gjykimi i menjëhershëm i ish-flamurit të Manchester United, Paul Scholes, i cili në mikrofonat e kanaleve zyrtare të Premier League shtoi: "Ai ka sjellë kaos gjatë dy viteve të fundit.

Të gjithë e dinë se çfarë talenti ka, të gjithë i besojnë, çdo trajner është përpjekur t’i japë atij drejtimin e skuadrës, por nuk e bën këtë rol. Duke mos rinovuar kontratën, ai pothuajse e mban peng klubin dhe pastaj vjen e bën diçka të tillë”.